Nëse ka një barometër që mat temperaturën e pushtetit në Shqipëri, ai nuk është as sondazhi dhe as vota, por zhurma ose heshtja e mediave.
Deri muajin e kaluar, eteri mediatik ishte një fushëbetejë e hapur. Portale, televizione, faqe memesh opozitare dhe analistë ishin ndarë në tre kampe të qarta, si ushtri të rreshtuara para luftës:
Të paktën kishte debat. Kishte përplasje. Kishte jetë.
Por dhjetori solli një fenomen të ri, pothuajse të mbinatyrshëm për realitetin kaotik shqiptar.
Papritur, ekranet u fikën dhe tastierat u ndalën. Një heshtje e koordinuar, e rëndë dhe e çuditshme ka pllakosur mbi atë që po përflitet si "pezullimi" faktik i numrit dy të qeverisë. Është një qetësi që të shurdhon, një armëpushim që nuk vjen nga paqja, por nga interesi.
Kjo nuk është thjesht mungesë lajmi. Kjo është heshtje me pagesë.
Ironia bëhet edhe më e madhe kur mendon se për këtë lloj "disipline" mediatike, edhe vetë kryebashkiaku Erion Veliaj, mjeshtri i PR-it dhe kontrollit të narrativës, do të ndiente zili. Nëse Veliaj-t i duhet të mbjellë pemë e të organizojë koncerte për të fituar vëmendje (ose për të mbuluar skandale), në rastin e Ballukut, strategjia është më e rafinuar: zhdukja nga radari. Mediat kanë futur kokën në rërë si struci, ndërsa mikrofonët janë mbyllur me çelës.
Pyetja që ngrihet natyrshëm në këtë terr informativ nuk është "Pse po heshtin?", por "Sa kushton kjo heshtje?".
Në zhargonin e pushtetit dhe medias në Shqipëri, paraja kesh është e dalë mode. Valuta e re është infrastruktura. Heshtja nuk blihet me zarfe, ajo blihet me koncensione, me rrugë, dhe mbi të gjitha, me tunele.
Shtrohet pyetja legjitime: Me sa kilometra tunel është "asfaltuar" goja e mediave shqiptare? A mos vallë redaksitë janë shndërruar në nënkontraktorë të heshtur të veprave publike? Sa metra gërmim në shkëmb vlejnë sa një muaj mos-përmendje e emrit të ministres?
Logjika është e thjeshtë dhe e dhimbshme: Kilometrat e tunelit, ato që gllabërojnë qindra miliona euro, i paguajnë të gjithë shqiptarët. I paguajnë me taksa, me çmimin e naftës, me borxhin publik që rritet. Ndërsa heshtjen, atë qetësi luksoze që blen ky tunel, e përfitojnë vetëm "të pezulluarit".
Publiku mbetet me faturën e tunelit në dorë, ndërsa mediat dhe pushteti ndajnë "fitimin" e errësirës brenda tij. Në fund të ditës, duket se drita në fund të tunelit nuk është shpresë, por thjesht reflektori i një studioje televizive që sapo u fik me urdhër.