Banorët e komunës Zall-Herr denoncojnë gjendjen skandaloze të rrugës Zall-Herr–Bovillë, vetëm 10 km nga qendra e Tiranës. Rruga, e cila përdoret çdo ditë nga dhjetëra fshatra dhe lidh zona me rëndësi të madhe si liqeni i Bovillës dhe atraksionet turistike përreth, mbetet pjesërisht e pashtruar për rreth 5 km. Banorët kanë protestuar për vite me radhë dhe kanë kërkuar ndërhyrje, por premtimet e dhëna nga përfaqësues të ARRSH dhe deputeti i zonës, Xhemal Qefalia, nuk janë realizuar.
Sipas banorëve, situata tregon mungesën e seriozitetit dhe transparencës në realizimin e projekteve infrastrukturore, ndërkohë që qindra miliona euro shpenzohen në rrugë dhe tunele të panevojshme. Ata theksojnë se gjendja e rrugës nuk vetëm pengon jetën e përditshme të mijëra njerëzve, por rrezikon edhe sigurinë e përdoruesve dhe është një problem serioz për furnizimin me ujë të Tiranës nga liqeni i Bovillës.
Denoncimi:
Përshëndetje JOQ! Doja të denoncoja gjendjen skandaloze të rrugës Zall-Herr – Bovillë, e cila ndodhet vetëm 10 km nga qendra e Tiranës. Është një rrugë që të lëmerit të ecësh me makinë, por banorët e dhjetëra fshatrave të komunës Zall-Herr e përdorin çdo ditë këtë rrugë. Banorët e zonës e kanë ngritur disa herë këtë shqetësim edhe në media, madje kanë dalë edhe në protesta me javë të tëra, dhe thjesht kanë ardhur përfaqësues nga ARRSH dhe deputeti i zonës, Xhemal Qefalija, dhe i kanë gënjyer duke u thënë se po bëjnë gati projektin dhe do të fillojnë punimet për pak javë. U bënë më shumë se dy vite nga premtimi për shkak të protestave, dhe prapë gjendja mbetet skandaloze, siç e shikoni vetë në video. Thjesht mashtruan për të shuar protestën. Të njëjtën gjë bëjnë edhe në fushata zgjedhore: bëjnë premtime, marrin votat dhe asgjë nuk realizohet. Si ka mundësi që në vitin 2025, vetëm 10 km nga kryeqyteti, të lihet kjo rrugë me një distancë prej 5 km pa shtruar, e cila lidh disa fshatra, mijëra banorë, liqenin e Bovillës që furnizon me ujë pjesën më të madhe të Tiranës, si dhe zonën që është atraksion turistik i vizituar nga shumë turistë? Ndërkohë që hidhen qindra miliona euro në rrugë të panevojshme, të cilat shemben sapo inaugurohen, dhe tunele ku 90% e fondeve vidhen, si ka mundësi që kanë lënë vetëm 5 km rrugë pa asfaltuar, rrugë kjo shumë e rëndësishme dhe e përdorur nga mijëra banorë, vetëm 10 km nga kryeqyteti?