Pamjet që shihni nuk vijnë nga ndonjë film horror, as nga ndonjë godinë e braktisur. Ato janë filmuar në korridorin dhe shkallët e Maternitetit të Spitalit të Lushnjës, pikërisht në vendin ku nis jeta.
Aty ku çdo nënë duhet të ndihet e sigurt. Aty ku çdo foshnjë duhet të marrë frymën e parë në kushte dinjitoze. Por realiteti që shfaq videoja është tronditës.
Një qytetare ka dërguar këto pamje dhe thotë se situata në maternitet i kujtoi skenat e filmave horror, duke përmendur në mesazhin e saj “Resident Evil”. Fatkeqësisht, krahasimi nuk duket aspak i tepruar.
Në video shihen qartë muret që janë të mbuluara me lagështi, myk të zi dhe suva të rënë. Korridori është i zymtë, me ndriçim të dobët dhe pa asnjë standard higjiene që duhet të garantojë një institucion shëndetësor, e aq më pak një maternitet.
Kjo pamje e trishtë të jep më shumë ndjesinë e një godine të braktisur prej dekadash sesa të një reparti ku trajtohen nënat dhe lindin fëmijët.
Mesazhi i plotë i qytetares që e solli këtë denoncim:
“Përshëndetje JOQ. Video që ju nisa është Spitali i Lushnjes në kushte të tmerrshme, duket sikur jemi në ato filmat Resident Evil. Materniteti i Lushnjës, aty ku nis jeta!”
Nëse hyrja dhe shkallët e një reparti kaq të rëndësishëm janë në këtë gjendje dramatike, me të drejtë lind pyetja: Si mund të jetë brenda? Çfarë standardesh kanë dhomat ku nënat sjellin në jetë fëmijët e tyre?
Kjo situatë është një alarm serioz dhe kërkon reagim të menjëhershëm të institucioneve, sepse asnjë qytet, e aq më pak një maternitet, nuk duhet të funksionojë në kushte që rrezikojnë shëndetin e nënave dhe foshnjave.