Një qytetar nga Durrësi i është drejtuar redaksisë së JOQ Albania për të raportuar një rast të dyshimtë mashtrimi financiar në biznesin e tij familjar. Sipas denoncuesit, dy vajza të reja kanë kryer një pagesë me një kartëmonedhë 20-euroshe, e cila më pas rezultoi të ishte false.
Pronari ka dërguar edhe pamje nga kamerat e sigurisë, ku shihen vajzat teksa hyjnë në dyqan, si dhe një video tjetër ku ai tregon kartëmonedhën e falsifikuar. Ai shprehet se nuk është i sigurt nëse veprimi ka qenë i qëllimshëm, por dyshimet janë të forta.
Në mesazhin e tij për JOQ Albania, denoncuesi thotë:
“Përshëndetje JOQ! Dje, rreth orës 4:30, dy vajza u paraqitën në biznesin tim dhe paguan me një 20 euro false. Nëse e kanë bërë me qëllim, i njoftoj që kanë 24 orë kohë të kthehen dhe të rregullojnë situatën, ndryshe do t’i denoncoj në polici. Nëse nuk ka qenë me dashje, le të vijnë ta marrin mbrapsht dhe ta çojnë aty ku e kanë marrë. Dua vetëm të paralajmëroj edhe bizneset e tjera që të mos bien pre e mashtrimeve të tilla.”
Ai shton se personi që ka qenë në kasë gjatë momentit të pagesës nuk i njihte vajzat, çka e shton dyshimin për një veprim të menduar paraprakisht.
Në fund, qytetari kërkon publikimin e rastit për t’i dhënë vajzave një shans të paraqiten, ndërsa paralajmëron se nëse kjo nuk ndodh, videoja do t’i dorëzohet policisë.