Partizani ka regjistruar një nga fitoret më të rëndësishmetë sezonit, duke mposhtur Tiranën 2-0 në “Air Albania” dhe duke i dhënë një tjetër goditje krizës së bardhebluve. Të kuqtë jo vetëm morën hak për humbjen 3-0 të fazës së parë, por dominuan derbin në çdo detaj.
Ndeshja nisi në mënyrën më të mirë të mundshme për Partizanin. Vetëm pas disa minutash lojë, Rowan Human u gjend i vetëm përballë portierit Tafas dhe e dërgoi topin në rrjetë, duke kaluar të kuqtë në avantazh 0-1. Bardheblutë pretenduan për pozicion jashtë loje, por rishikimi i VAR-it nuk dha asnjë parregullsi.
Pjesa e dytë solli një tentativë të lehtë reagimi nga Tirana, por gjithçka u shua menjëherë. Xhuliano Skuka, i sapofutur në fushë, shënoi me prekjen e tij të parë në minutën e 66-të, duke vulosur fitoren 0-2 dhe duke mbyllur derbin shumë përpara se të mbaronte koha e rregullt.
Fitorja e ngjit Partizanin në vendin e 6-të në kuotën e 20 pikëve dhe e afron me garën për zonën “Final Four”. Ndërkohë, tek Tirana situata po bëhet alarmante: bardheblutë mbeten në fund të tabelës me vetëm 7 pikë dhe me një krizë të thellë që duket se po thellohet çdo javë. Ironikisht, e vetmja fitore e tyre këtë sezon ka qenë pikërisht ndaj Partizanit në fazën e parë.
Derbi i dytë i sezonit, megjithatë, e tregoi qartë: këtë herë, ishte Partizani ai që e fundos Tiranën.