Autoritetet spanjolle kanë hapur një hetim të thelluar mbi shpërthimin e etheve afrikane të derrave (ASF) në rajonin e Katalonjës, ndërsa po shqyrtojnë seriozisht mundësinë që virusi të ketë dalë nga një laborator kërkimor pranë zonës së prekur.
Që prej 28 nëntorit janë konfirmuar 13 raste te derrat e egër në fshatrat përreth Barcelonës, çka ka ngritur në alarm vendin, pasi Spanja është një nga eksportueset më të mëdha të mishit të derrit në Evropë, me një industri që vlerësohet në 8.8 miliardë euro në vit.
Fillimisht, autoritetet lokale dyshuan se virusi mund të ishte futur në Spanjë përmes ushqimit të kontaminuar që një derr i egër mund të ketë konsumuar nga zona jashtë vendit. Por analiza të mëtejshme kanë ndryshuar drejtimin e hetimeve.
Sipas Ministrisë së Bujqësisë, lloji i virusit i identifikuar te derrat e ngordhur nuk përputhet me variantet që qarkullojnë aktualisht në vendet e tjera të BE-së. Në vend të kësaj, ai është shumë i ngjashëm me variantin e zbuluar në Gjeorgji në vitin 2007, çka ka ngritur pikëpyetje serioze mbi origjinën e tij.
“Zbulimi i një virusi të ngjashëm me atë që qarkullonte në Gjeorgji nuk përjashton mundësinë që origjina e tij të jetë një laborator”, deklaroi ministria.
Presidenti i rajonit të Katalonjës, Salvador Illa, ka urdhëruar një audit të plotë në pesë objektet kërkimore që punojnë me virusin e murtajës afrikane të derrave dhe që ndodhen brenda një rrezeje prej 20 kilometrash nga vatra e infeksionit. Qëllimi është të përcaktohet nëse ka pasur ndonjë incident, rrjedhje apo shkelje të protokolleve të sigurisë.
Ekspertët e terrenit, të cilët kanë inspektuar 39 ferma derrash përreth zonës së prekur, nuk kanë konstatuar asnjë shenjë të sëmundjes tek kafshët e fermave, një element që e bën rrethin e infektimit edhe më të pazakontë, duke qenë se sëmundja është identifikuar vetëm tek derrat e egër.
Në operacion janë përfshirë mbi 100 efektivë të Njësisë së Emergjencave Ushtarake, të cilët po punojnë krah për krah me policinë dhe rojet e faunës së egër për të monitoruar zonën, kufizuar përhapjen dhe mbledhur prova.
Ndërsa hetimi vazhdon, autoritetet janë në garë me kohën për të parandaluar çdo përhapje të mundshme të virusit tek fermat komerciale një skenar që do të kishte pasoja të rënda ekonomike dhe tregtare për Spanjën.
Shpërthimi i etheve afrikane të derrave nuk përbën rrezik për shëndetin e njeriut, por është një sëmundje shumë e dëmshme dhe vdekjeprurëse për derrat, me aftësi të lartë për t’u përhapur.