Një pallat shumëkatësh në zonën e Shkëmbit të Kavajës po rrezikon çdo ditë e më shumë jetën e qytetarëve që kalojnë poshtë tij, qoftë për shëtitje apo për punë të përditshme. Problemi lidhet me fasadën e godinës, nga e cila disa pjesë janë shkëputur dhe në çdo moment mund të rrëzohen, sidomos në kushte ere, duke rrezikuar kalimtarët.
Një qytetare, e cila kishte dalë për shëtitje me familjen, është shprehur e habitur dhe e shqetësuar nga gjendja e rrezikshme e fasadës. Ajo shkruan: “Përshëndetje! Ju lutem nëse mundeni ta publikoni se rrezikohet jeta e qytetarëve. Te Shkëmbi i Kavajës afër restorant Pampas. Nuk e kam idenë pse është në këtë gjendje, por ne ishim për shëtitje me fëmijën e vogël dhe na bëri përshtypje. Poshtë pallatit është shëtitore.”
Nga fotot e mbërritura në redaksinë tonë duket qartë se disa pjesë të fasadës janë shkëputur dhe mund të bien nga momenti në moment. Institucionet përgjegjëse duhet të ndërhyjnë sa më shpejt për të eliminuar rrezikun dhe për të garantuar sigurinë e qytetarëve.
![]()


