Pas raportimeve të natës së kaluar mbi një fenomen të pazakontë që ka mbuluar Elbasanin, situata duket se vijon edhe gjatë ditës së sotme. Dhjetëra banorë i janë drejtuar sërish redaksisë së JOQ Albania duke dërguar pamje ku shihet qartë një shtresë e dendur tymi që ka pushtuar qytetin dhe zonat përreth.
Në pamjet e reja të mbërritura sot, qyteti paraqitet i mbuluar totalisht nga një re e trashë që, sipas banorëve, ka erë të rëndë dhe vështirëson frymëmarrjen. Fenomeni ka vazhduar për më shumë se 24 orë dhe tymi duket se qëndron i bllokuar mbi qytet, duke krijuar efektin e një “pellgu” ndotjeje.
Disa prej qytetarëve shprehen se kanë qenë të detyruar të qëndrojnë të mbyllur në banesa, pasi dalje në ajër të hapur pa maskë është bërë e vështirë për shkak të aromës së rëndë dhe ndotjes masive.
Ndërkohë, raportimet e mbrëmshme tregonin mendime të ndryshme nga qytetarët për burimin e fenomenit, duke përmendur mjegull natyrore, tym nga metalurgjiku apo djegie mbetjesh dhe gomash. Shkaku zyrtar i ndotjes vazhdon të mbetet i pakonfirmuar, pasi institucionet përgjegjëse nuk kanë dhënë ende një deklaratë publike mbi situatën.
Banorët kërkojnë reagim të menjëhershëm nga autoritetet lokale dhe qendrore për të bërë të ditur shkakun real të ndotjes, si dhe për të marrë masa urgjente për mbrojtjen e shëndetit publik. Ata shprehin shqetësimin se përballja e përditshme me një re të dendur tymi përbën rrezik serioz, veçanërisht për të moshuarit, fëmijët dhe personat me probleme respiratore.
JOQ Albania vijon monitorimin e situatës dhe mbledhjen e dëshmive nga qytetarët, si dhe kërkon përgjigje nga institucionet përgjegjëse për një fenomen që po krijon panik dhe pasiguri në Elbasan.
“Sot Elbasani. Uroj që të parët t’i zërë kanceri këto që e bëjnë, si kryetarin e bashkisë dhe pronarët e firmës. Elbasani është gropë dhe tymi duhet 3-4 ditë të ikë, pasi qëndron poshtë në pellg.”