Fundoset varka me 20 emigrantë në Kretë, dyshohet për 18 viktima

Shkruar nga: A Gjoni | Publikuar më: 06.12.2025, 20:20

Një ngjarje tragjike është regjistruar pranë bregdetit jugor të Kretës, ku një varkë me 20 emigrantë është fundosur mes kushteve të rënda atmosferike.

Sipas autoriteteve greke, emigrantët po përpiqeshin të arrinin në Kretë, por dallgët e forta bënë që mjeti lundrues të mbushej me ujë dhe të përmbytej shumë shpejt.

Menjëherë pas marrjes së sinjalit të emergjencës, Autoritetet Portuale të Kretës nisën një operacion të gjerë kërkim-shpëtimi, duke angazhuar mjete lundruese dhe ekipe shpëtimi, pavarësisht kushteve jashtëzakonisht të vështira në det.

Nga informacionet paraprake dyshohet se 18 nga 20 emigrantët mund të kenë humbur jetën, ndërsa dy persona janë nxjerrë të gjallë nga deti. Fatkeqësisht, shanset për gjetjen e të tjerëve gjallë janë të ulëta, por operacioni vazhdon.

Autoritetet greke po punojnë për identifikimin e viktimave dhe mbledhjen e detajeve të mëtejshme mbi rrethanat e tragjedisë. Sipas burimeve, kushtet ekstreme në det kanë qenë një nga faktorët kryesorë që çuan në fundosjen e varkës.

Ngjarja ka rikthyer vëmendjen tek rreziqet e udhëtimeve të paligjshme me mjete të pasigurta, të cilat shpesh përfundojnë në tragjedi për dhjetëra njerëz që kërkojnë një jetë më të mirë.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit