Përleshje të reja vdekjeprurëse në kufirin Pakistan–Afganistan

Shkruar nga: U Tafa | Publikuar më: 06.12.2025, 08:54

Luftimet e reja kufitare mes forcave pakistaneze dhe atyre të qeverisë talebane në Afganistan kanë shpërthyer sërish, duke thyer një armëpushim të brishtë të arritur më pak se dy muaj më parë. Të dyja palët kanë konfirmuar shkëmbimin e zjarrit, por secila akuzon tjetrën për nisjen e përplasjes.

Banorët e qytetit afgan Spin Boldak u larguan masivisht gjatë natës, pasi luftime të ashpra u raportuan përgjatë vijës së gjatë kufitare, e cila shtrihet rreth 2,574 kilometra. Një burim mjekësor në Kandahar i tha BBC Pashto se spitali lokal ka marrë trupat e katër viktimave, ndërsa pala pakistaneze raporton tre të plagosur.

Armëpushim i brishtë nën presion

Përplasjet e armatosura kanë qenë të përsëritura muajt e fundit, duke e bërë kufirin një pikë të tensionuar mes dy vendeve. Qeveria talebane e Kabulit ka akuzuar Pakistanin se ka kryer bombardime ajrore brenda territorit afgan, ndërsa Islamabadi pretendon se talebanët strehojnë grupe të armatosura që ndërmarrin sulme në Pakistan.

Zëdhënësi i kryeministrit pakistanez, Shehbaz Sharif, Mosharraf Zaidi, e përshkroi zjarrit e talebanëve si “të paprovokuar”, duke shtuar se ushtria pakistaneze ka dhënë “përgjigje të menjëhershme, të fortë dhe proporcionale”, dhe se vendi është “plotësisht i angazhuar për mbrojtjen e integritetit territorial dhe sigurinë e qytetarëve”.

Nga ana tjetër, një zëdhënës i talebanëve tha se “Pakistani ka nisur sërish sulmet” dhe se forcat afgane u detyruan të përgjigjen.

Pamjet nga zona tregojnë turma njerëzish që largohen me këmbë dhe në automjete, ndërsa frika e përhapjes së luftimeve ka bërë që edhe qytetarë të zonave përreth të braktisin shtëpitë.

Bisedimet për paqe, pa rezultat

Luftimet vijnë pas një armëpushimi të ndërmjetësuar nga Katari dhe Turqia, i cili i dha fund përplasjes më të rëndë mes palëve që prej rikthimit të talebanëve në pushtet në vitin 2021. Megjithatë, tensionet mbeten të larta.

Javën e kaluar, delegacione nga të dyja vendet u takuan në Arabinë Saudite për raundin e katërt të negociatave për një marrëveshje më të gjerë paqeje. Bisedimet përfunduan pa marrëveshje, megjithëse burime pranë procesit thanë se palët ranë dakord të vazhdojnë t’i përmbahen armëpushimit.

Qeveria pakistaneze prej kohësh e akuzon administratën talebane në Afganistan se strehon militantë që realizojnë atentate në Pakistan. Talebanët i kanë hedhur poshtë këto akuza dhe thonë se Islamabadi po përpiqet t’i shmanget përgjegjësive për “dështimet e saj të sigurisë së brendshme”.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit