Një figurë e rrallë e gjeneratës së parë Labubu është shitur për 150,000 dollarë në Pekin në një ankand të mbajtur ekskluzivisht për lodrat që kanë pushtuar botën.
Kukulla 131 centimetra me ngjyrë jeshile menteje, me një pamje si të një gremlini, dhëmbë të mprehtë dhe një buzëqeshje të çuditshme, u shit për 1.08 milionë juanë (150,325 dollarë) në shtëpinë ndërkombëtare të ankandeve Yongle, e cila zakonisht specializohet në shitjen e bizhuterive dhe artit modern.
"Urime blerësit online për koleksionimin e të vetmit në botë”, tha drejtuesi i ankandit.
Labubu janë lodrat me pelush më në modë të momentit, të cilat janë krijuar nga ilustruesi Kasing Lung dhe shiten nga gjiganti Pop Mart.
Muajt e fundit, krijesat që i përngjajnë një elfi disi të lig por edhe të lezetshëm, kanë nxitur një valë të çmendur blerjesh në të gjithë botën dhe në disa raste, edhe grindje jashtë dyqaneve ku shiten. Edhe në Kinë, ku këto lodra prodhohen, njerëzit e kanë të vështirë të blejnë një Labubu.
Gjatë eventit, dolën në ankand 48 Labubu, duke shënuar ankandin e parë të lodrave që mund të koleksionohen.
Një Labubu kafe, 160 centimetër u shit për 114.086 dollarë, çmimi i dytë më i lartë në ankand. Kompania tha se në botë ka vetëm 15 të tilla. Figurinat e tjera u shitën për më shumë se 1000 dollarë secila. Një çift Labubu që duken si Minion, u shit për 1391 dollarë.
Kompania planifikon të organizojë edhe ankande të tjera për Labubu dhe vepra të tjera moderne. Blerësit duhet të paguanin edhe një komision prej 15% veç çmimit të produktit.