Drejtuesja politike e PS-së në Fier, Belinda Balluku, ka akuzuar publikisht kundërshtarin e saj politik, Gazment Bardhi, për bullizim ndaj kandidateve femra të Partisë Socialiste, duke përmendur emrat e Zegjine Çaushit në Roskovec dhe Kiduina Zakës në Lushnje.
Sipas Ballukut, vajzat e PS-së janë vënë në shënjestër të sulmeve personale dhe ironive, të cilat ajo i cilësoi si të turpshme dhe të papranueshme.
Balluku tha se "përgjigjen më të mirë Bardhit ia dhanë qytetarët", duke iu referuar pjesëmarrjes së lartë në zgjedhje dhe, sipas saj, mbështetjes për PS-në.
Ajo përmendi edhe vetveten si objekt sulmesh, duke u ndalur te fotomontazhet që sipas saj shpërndahen nga opozita, duke ironizuar: “Bardhi ka probleme hormonale”.
Por ndërsa Balluku doli hapur në mbrojtje të Zegjine Çaushit gjatë fushatës, ajo shmangu çdo koment për rezultatin zhgënjyes të kandidates virale, e cila nuk arriti të sigurojë një vend në Kuvend.
Me vetëm 3,967 vota preferenciale, Çaushi mbeti shumë prapa kandidatëve të tjerë socialistë në Fier, si Klevis Jahaj dhe Asfloral Haxhiu, që morën mbi 11 mijë vota secili.
Fenomeni "Zegjine", i lindur në rrjetet sociale, duket se nuk u përkthye në mbështetje elektorale reale, duke treguar se fama dixhitale nuk mjafton për të fituar besimin e votuesve në kutitë e votimit.