Pak javë më parë, JOQ Albania raportoi një rast alarmues: kosi i frutave i markës “Fruetto”, i cili shitet gjerësisht në dyqane dhe supermarkete në Shqipëri, doli i mykur dhe i prishur pavarësisht se nuk kishte kaluar data e skadencës.
Por ky nuk është një rast i izoluar.
Denoncimet për produkte ushqimore të dëmtuara apo të kontaminuara janë në rritje, duke vënë në rrezik serioz shëndetin e qytetarëve shqiptarë, sidomos të fëmijëve që konsumojnë këto produkte.
Së fundmi, një qytetare denoncoi një tjetër rast, duke treguar se kishte blerë një kos në rrjetin Big Market, i cili rezultoi i mykur, megjithëse kishte datën e skadencës 30 gusht 2025. “Qytetarët duhet të kenë kujdes. Nuk e dimë më çfarë po hamë,” u shpreh ajo, e shqetësuar për mungesën e kontrollit dhe transparencës.
Këto raste janë dëshmi e problemeve serioze dhe të vazhdueshme në sistemin e kontrollit të cilësisë dhe sigurisë ushqimore në vend. Konsumatorët kërkojnë masa konkrete, kontrolle të rrepta dhe përgjegjësi nga autoritetet.
Autoriteti Kombëtar i Ushqimit (AKU), aktualisht i drejtuar nga Manush Kullolli, duhet të ndërhyjë menjëherë me inspektime të thelluara në terren për të parandaluar raste të ngjashme. Siguria ushqimore nuk është thjesht çështje standardesh – është çështje jete.
Denoncimi i qytetares:
Pershendetje JOQ Doja te beja nje denoncim. Bleva kete produkt te big Marketi dhe shiko cfare na servirin. Skadenca e produktit ne gusht 2025. Publikojeni mos helmohen njerzit..