Një studente ka denoncuar në redaksinë e JOQ Albania situatën e përsëritur dhe alarmante që ndodh çdo natë në rrugën e konvikteve në Qytetin Studenti. Ajo thotë se, pavarësisht kërkesave të herëpashershme për të ndërprerë qarkullimin e makinave në një orar të caktuar, institucionet kanë zgjedhur të mbyllin sytë.
Sipas studentes, në këtë rrugë organizohen çdo natë "parada makinash" me muzikë të lartë deri në orët e vona, duke privuar studentët nga gjumi dhe qetësia.
Ajo thotë se ka telefonuar disa herë policinë, por përgjigja e marrë ka qenë aspak profesionale dhe zhgënjyese:
“Na janë përgjigjur duke thënë: ‘S’kemi ç’bëjmë, s’do ndalojmë makinat për ju’.”
Në videon e dërguar, dëgjohet qartë zhurma e xhirimeve të gomave të makinës që bëjnë manovra të rrezikshme, duke krijuar jo vetëm zhurmë të madhe, por edhe një ndjesi pasigurie për banorët dhe studentët që banojnë aty.
Denoncimi i plotë i studentes për JOQ Albania:
“Përshëndetje JOQ! Pavarësisht sa e sa herë është bërë kërkesë që në një orë të caktuar të ndërpritet qarkullimi në rrugën e konvikteve në Qytetin Studenti, asnjëherë nuk është marrë parasysh. Vazhdon po e njëjta paradë makinash me muzikë të lartë deri në orët e vona, pa menduar sa studentë nuk flenë dot nga kjo gjë… Kam telefonuar disa herë policinë, por na janë përgjigjur duke thënë që ‘s’kemi ç’bëjmë, s’do ndalojmë makinat për ju’. Shpresoj të ndryshojë ndonjë gjë nëse ju e postoni.”
Institucionet përkatëse duhet të marrin masa urgjente për të ndaluar këtë kaos të përnatshëm në një zonë që supozohet të jetë e qetë dhe e përshtatshme për jetesën dhe studimin e mijëra të rinjve.