Fatime Hassouna, një fotoreportere palestineze u vra këtë të mërkurë gjatë një sulmi ajror izraelit në lagjen Al-Touffah të Gazës. Për 18 muaj me radhë, ajo kishte dokumentuar me fotografi dhe video pasojat e bombardimeve në këtë rajon të goditur rëndë nga lufta.
Sulmi që i mori jetën ndodhi në shtëpinë e saj, ku bashkë me të humbën jetën edhe dhjetë anëtarë të familjes, përfshirë motrën e saj shtatzënë.
Në moshën 25-vjeçare, Fatimeja kishte planifikuar martesën e saj që do të zhvillohej vetëm disa ditë më vonë. Megjithatë, ajo ishte e vetëdijshme për rrezikun e përditshëm që përballonte për shkak të profesionit të saj. Në një nga postimet e saj të fundit në rrjetet sociale, ajo kishte shkruar:
"Nëse vdes, dua një vdekje me zë të lartë. Nuk dua të jem thjesht një lajm i fundit apo një numër në statistika. Dua që vdekja ime të dëgjohet nga bota, të lërë një gjurmë që sfidon kohën dhe të mbetet në kujtesë si një imazh që nuk mund të fshihet."
Vetëm një ditë para sulmit fatal, fotoreporterja që dokumentoi vuajtjet e grave dhe fëmijëve në Gaza, ishte njoftuar se dokumentari i saj do të ishte pjesë e Festivalit Francez të Filmit në Kanë.
Organizatat për mbrojtjen e gazetarëve kanë reaguar me indinjatë ndaj vrasjes së Hassounës, duke deklaruar se ajo ishte një zë i fuqishëm në dokumentimin e masakrave, duke sjellë përmes objektivit të saj realitetin e tmerrshëm të grave dhe fëmijëve që përballen me luftën në Gaza.
Që prej fillimit të bombardimeve izraelite në Gaza, mbi 51,000 persona janë vrarë, shumica prej tyre gra dhe fëmijë, sipas Ministrisë së Shëndetësisë në Gaza.