Një incident i rëndë ka ndodhur në shkollën "17 Shkurti" në Shirok të Suharekës, ku një qen pitbull ka hyrë në ambientet e shkollës dhe ka sulmuar disa nxënës dhe zyrtarë policie.
Sipas raportimeve, ngjarja ka ndodhur ditën e djeshme, rreth orës 09:50 kur nxënësit janë kthyer nga pushimi i gjatë.
Disa nxënës dhe dy oficerë të policisë kanë pësuar lëndime nga sulmi i qenit, dhe dy nxënës, mes tyre një 8-vjeçare e plagosur rëndë, janë dërguar në spital për trajtim të mëtejshëm. Dy të tjerë janë trajtuar në Qendrën e Mjekësisë Familjare në Suharekë. Nxënësit e sulmuar nga qeni ishin të klasave të para, të dyta, të pesta dhe të gjashta. Pas incidentit, mësimi është ndërprerë dhe nxënësit janë larguar nga shkolla.
Qeni që ka sulmuar edhe policët është vrarë me armë prej tyre, ndërsa pronari i qenit është identifikuar dhe është arrestuar për "shkaktim të rrezikut të përgjithshëm". Rasti është në hetim nga autoritetet përkatëse.