Dalin detaje të reja lidhur me grupin kriminal italo-shqiptar të trafikut të kokainës.
Në krye të grupit ishin dy vëllezërit e klanit Çela në Elbasan, Suel dhe Mario Çela.
Pesë janë të arrestuarit në Shqipëri, mes 20 masave të sigurisë në total të vendosur nga gjykata italiane në Breshia, 12 prej të cilave arrest me burg.
Pesë shtetasit shqiptarë, të cilët do të ekstradohen për t'u gjykuar në Itali janë: Shkëlqim Pashja, Igli Dervishi, Ervin Dema, Edmond Zhuja dhe Genti Berisha. Ndërsa është identifikuar dhe shpallur në kërkim shtetasi Metin Mehja, 28 vjeç, që akuzohet gjithashtu për vepra të tjera penale.
“Deri tani, në kuadër të këtij megaoperacioni janë vënë në pranga 12 shtetas dhe po hetohen 8 të tjerë. Lokalizohen në Shqipëri dhe vihen në pranga, me qëllim ekstradimin, 5 shtetas shqiptarë, të akuzuar si pjesëtarë të grupit”, thotë policia.
SPAK konfirmoi se organizata kriminale u zbërthye pas zbulimit të telefonave të enkriptuar dhe platformave të koduara SKY ECC.
Aktivitetet e organizatës përfshinin transportin e drogës nga Amerika e Jugut dhe lidhjet me marrëveshje biznesi ndërkombëtare, veçanërisht mes Kolumbisë, Ekuadorit dhe Emirateve të Bashkuara Arabe, ndërsa fitimet e drogës silleshin përmes autobusëve të linjës Breshia-Elbasan.
"Kjo organizatë ka mundësuar të gjitha fazat e trafikut, nga magazinimi, shpërndarja dhe mbledhja e përfitimeve, të cilat më pas i dorëzoheshin drejtuesve të organizatës në Shqipëri, përmes një sistemi të kolauduar, duke shfrytëzuar shoferët e autobusëve të linjës Brescia-Elbasan", thuhet në njoftimin e SPAK.
Grupi kriminal përdorte automjete të modifikuara për të fshehur lëndën narkotike dhe e trafikonte atë drejt qyteteve të Italisë dhe shteteve të Europës Qendrore. Aktiviteti i tyre përfshinte një rrjet të gjerë shpërndarjeje të kokainës në Europë.
Materialet hetimore janë dorëzuar në SPAK për veprime të mëtejshme.