Protesta e organizuar për rastin e Azbi Spahiut, policit që u hodh nga kati i shtatë për shkak të presionit nga eprorët e tij, është shoqëruar me një incident të rëndë.
Mbështetësit e Adriatik Lapajt dhe Arlind Qorit janë përfshirë në një përplasje fizike, duke lënë në hije kauzën për të cilën ishin mbledhur. Përleshja mes dy grupeve nisi nga debati për fjalën e parë në protestë, duke treguar një mungesë serioziteti dhe përkushtimi ndaj çështjes së Azbiut.
Kryetari i Nisma Thurje, Endrit Shabani, ka dënuar ashpër sulmin ndaj Adriatik Lapajt, duke e cilësuar si një akt të shëmtuar dhe të papranueshëm.
Ai theksoi se ky incident tregon vijimin e mentalitetit të vjetër të politikës shqiptare, ku për interesa personale "djegim gjithë Shqipërinë."
Shabani shtoi se është e rëndësishme që të mos ketë “pronarë kauzash” duke theksuar se zgjidhja mund të vijë vetëm përmes bashkëpunimit dhe rritjes së presionit ndaj institucioneve përkatëse.
Ai e konsideroi dhunën si sjellje të politikës së vjetër dhe theksoi se Shqipëria nuk mund të jetë më viktimë e ambicieve të një individi.