Policia greke ka bërë publik identitetin e katër personave të komunitetit rom, të shpallur në kërkim për akuzat e vrasjes së një fëmije dhe tentativës për vrasjen e prindërve të tij.
Ngjarja ka ndodhur më 1 nëntor të këtij viti në zonën Makropoulos, ku një automjet është sulmuar me 15 të shtëna nga dy armë zjarri. Sulmi u krye nga dy persona që dolën nga një automjet tjetër, i cili ishte pozicionuar paralel me mjetin tip "Peugeot", ku ndodheshin një çift bashkëshortësh (gruaja shtatzënë) dhe dy fëmijët e tyre, një vajzë dhe një djalë 5-vjeçar.
Për pasojë, fëmija 5-vjeçar, A. A., i cili u plagos rëndë nga një plumb në kokë, ndërroi jetë më pas. Katër personat e shpallur në kërkim janë romë me origjinë shqiptare: Agron Tahiri, 48 vjeç nga fshati Rom, Njësia Administrative Qendër në Fier; dy djemtë e tij, me identitete greke, Evangjelo Zafiropoulo, 28 vjeç, dhe Dhimitrio Zafiropoulo, 25 vjeç; si dhe kushëriri i tyre, Nektario Petropoulo, 34 vjeç.
Sipas informacioneve, ngjarja lidhet me mosmarrëveshje për çështje droge midis familjes së viktimës dhe autorëve të dyshuar. Këto konflikte janë shoqëruar me tre incidente të tjera të armatosura, duke filluar nga një shkëmbim zjarri katër vite më parë në Agios Panteleimonas, një tjetër në Koropi një vit më vonë, dhe një tjetër në vitin 2022. Babai i fëmijës, sipas burimeve, kishte qenë në burg për çështje droge dhe ishte liruar pak kohë më parë. Të dyja familjet janë raportuar se kanë qenë të shoqëruara në polici në të kaluarën.