Kushtoi 435 MLN EUR nga taksat tona, Bashkim Ulaj vë traun e pagesës në Thumanë-Kashar

Shkruar nga: M Gjini | Publikuar më: 27.06.2024, 20:57

Aksi Thumanë-Kashar mund të jetë një ndër vjedhjet më të mëdha infrastrukturore të këtij populli. Gjatësia e tij është më pak se 21 kilometra dhe kosto për kilometër shkon në rreth 21 milionë euro.

Paratë për ndërtimin e këtij aksi arrijnë në vlerën e rreth 435 milionë eurove dhe të gjitha këto dalin nga buxheti i shtetit shqiptar. Nëpërmjet një tenderi të dyshimtë me vlerë rreth 226 milionë euro, fitues u shpall Bashkim Ulaj me kompanitë e tij GENER 2 dhe G2 Infra. Por sipas një raporti të Ministrisë së Financave drejtuar Parlamentit, kishte një parashikim sipas të cilit kostot koncesionare mund të arrinin në nivelin e 435 milionë eurove.

Pra për ndërtimin e kësaj rruge, Bashkim Ulaj nuk ka nxjerrë asnjë qindarkë nga xhepi por gjithçka është ndërtuar me paratë e taksave të shqiptarëve. Ndërsa tani, me hapjen e këtij aksi ditën e dielë, Ulaj ka vendosur traun e pagesës ku për çdo mjet do të marrë një pagesë që varion nga 2.1 euro për automjetet vetjake, në 6.3 euro për mjetet e tonazhit të rëndë me më pak se katër akse dhe deri në 9 euro euro për mjetet e tonazhit të rëndë me më shumë se katër akse.

Skandali thellohet më shumë kur mësohet se sipas një parashikimi të kostove në rast se rruga do të ndërtohej nga shteti shqiptar, dilte se nuk do të kushtonte më shumë se rreth 160 milionë euro, pra gati 2.7 herë më pak se çfarë është paguar Bashkim Ulaj.

Por skandali nuk ka mbaruar ende. Është parashikuar se në fund të periudhës prej 35 vitesh të koncesionit, Ulaj do të përfitojë plot 1.3 miliardë euro pa TVSH. Gjithashtu shteti ka vendosur edhe një garanci prej 22.8 milionë eurosh në rast se Bashkim Ulaj nuk do të mbledhë të ardhurat e planifikuara.

Pra si përfundim, Bashkim Ulaj pasi ndërton rrugën me paratë e taksave tona, vendos edhe traun që të marrë pagesë për çdo makinë apo mjet që do të kalojë nga kjo rrugë. Nuk dihet ende nëse SPAK ka nisur ndonjë hetim në lidhje me këtë mega-vjedhje.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit