Pronarit të pijes energjike “8S2” i sekuestrohen pasuritë dhe 97 automjete

Shkruar nga: A Shehaj | Publikuar më: 18.04.2024, 12:58

Prokuroria e Shkodrës ka sekuestruar pasuritë e biznesmenit shkodran, Ago Gjolaj, si dhe të personave të lidhur me të, pasi akuzohet për veprën penale ‘Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale’ parashikuar nga neni 287 i Kodit Penal.

Biznesmenit i cili tregton pijen energjike "8S2", i është sekuestruar shoqëria tregtare "B.M" shpk e cila ka si objekt veprimtarie tregtimin e mallrave të ndryshme industriale, pijeve energjike e alkoolike; disa pasuri të paluajtshme; 97 automjete dhe llogaritë bankare në emër të tij por edhe bashkëshortes Sonjela Gjolaj.

Sekuestrimi i këtyre pasurive ka ardhur pas dyshime se biznesmeni Ago Gjolaj merret me kontrabandimin dhe tregtimin e mallrave kontrabandë si dhe është evidentuar si pjesmarrës në grup kriminal që merret me trafikimin e lëndëve narkotike.

Ky shtetas së bashku me dy vëllezëtit e tij janë hetuar disa herë nga autoritet shqiptare madje edhe janë dënuar për vepra penale të ndryshme (kontrabandë, tregëtim mallrash kontrabandë etj). Referuar të dhënave të grumbulluara deri tani Policia Gjyqësore ka dyshime të arsyeshme se pasuritë e shtetasit Ago Gjolaj dhe familjarëve të tij nuk justifikohen nga pikpamja ekonomike me të ardhura të ligjshme.

Gjithashtu, Prokuroria e Shkodrës ka regjistruar edhe procedimin penal për kryerjen e veprës penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, pas referimit nga Drejtoria Vendore e Policisë Shkodër, e cila është vënë në dijeni nga Zyra Kombëtare Interpol Tirana, se autoritetet e Malit të Zi kanë qenë duke hetuar shtetasen shqiptare Sonjela Gjolaj, bashkëshortja e biznesmenit, pasi më datë 12.04.2018, ajo ka nënshkruar një kontratë për blerjen e një jahti luksoz me vlerë 300,000 (treqind mijë) euro nga shtetasi malazez S.J, i përfshirë në veprimtari kriminale dhe pastrim parash.

Vlen të thuhet se problemet e biznesmenit me drejtësinë shqiptare janë të shumta, pasi kompania "Arseni SH.P.K" e cila është e vetmja që ka ekskluzivitetin për importimin dhe tregtimin e pijes "B-52" nga Holanda, e ka hedhur në gjyq për mashtrimin në tregtimin e pijes energjike me emrat "852" dhe "8S2".

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit