Zhdukja e 3-vjeçarit në Durrës, shpallet në kërkim gjyshja

Shkruar nga: A Shehaj | Publikuar më: 18.04.2024, 09:50

Prej 5 ditësh, një 3-vjeçar, banues në Durrës, rezulton i humbur.

Mamaja e tij ka denoncuar në polici gjyshërit dhe i ka akuzuar për rrëmbim, por ende asnjë gjurmë prej 3-vjeçarit.

Kontrollet e policisë në Kukës dhe Has, ku mendohet se ka shkuar gjyshja me nipin 3-vjeçar kanë rezultuar pa sukses. Policia ka ndaluar gjyshin 60-vjeçar, Rexhep Gjuni dhe Arben Selajn, vëllanë e bashkëshortes së tij, ndërsa në kërkim është shpallur kjo e fundit, Barie Gjuni dhe vëllai i saj tjetër, Flamur Selaj.

Gjyshërit kanë marrë në shtëpinë e tyre nipin, por s'e kanë kthyer në orarin e vendosur nga mamaja e tij. Pas vdekjes së bashkëshortit, ajo e dërgonte djalin çdo fundjavë te gjyshërit, por këtë herë ai nuk është kthyer më në shtëpi dhe as nuk dihet ku është.

Njoftimi i policisë:

Kërkimet dhe veprimet e thelluara hetimore për rastin, po kryhen nga Policia e Durrësit, në drejtimin e Prokurorisë së Durrësit. Në vijim të punës që po kryhet nga Policia, me qëllim gjetjen e 3-vjeçarit që i është marrë nënës së tij, më datë 13.04.2024, dhe që dyshohet se po mbahet në mënyrë të padrejtë, nga gjyshërit e tij, si dhe me qëllim individualizimin e përgjegjësisë penale për këtë rast, ju informojmë se:

Komisariati i Policisë Durrës, në bashkëpunim me Drejtorinë Vendore të Policisë Kukës, në drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, kanë kryer kontrolle në disa banesa të të afërmve të gjyshes së 3-vjeçarit, në Kukës dhe në Has, ku kishte indicie se mund të mbahej i mituri. Gjithashtu, është bërë ndalimi i shtetasve R. Gj., 60 vjeç, gjyshi i 3-vjeçarit, banues në Durrës dhe A. S., 49 vjeç, vëllai i gjyshes së 3-vjeçarit, banues në Has. Më tej, janë shpallur në kërkim shtetasit B. Gj., 57 vjeçe, gjyshja e 3-vjeçarit, banuese në Durrës dhe F. S., 43 vjeç, vëllai tjetër i 57-vjeçares, banues në Has.

Policia e Shtetit, në drejtimin e Prokurorisë, po vijon pa ndërprerje kërkimet për gjetjen e 3-vjeçarit, për kapjen e 2 shtetasve të shpallur në kërkim, për individualizimin e përgjegjësisë penale të këtyre 4 shtetasve, si dhe për identifikimin dhe nxjerrjen përpara përgjegjsisë penale të shtetasve të tjerë që mund të jenë implikuar në këtë rast.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit