Të rinjtë në emigrim, pensionistët iu zënë vendin e punës

Shkruar nga: A Shehaj | Publikuar më: 17.04.2024, 08:49

Gjatë dy viteve të fundit, papunësia tek të rinjtë është rritur shumë, por bashkë me të edhe punësimi i pensionistëve (mbi 65-vjeç).

Të dhënat e fundit nga INSTAT tregojnë se në tremujorin e fundit të vitit të kaluar, 18% e personave mbi 65 vjeç ishin të punësuar, niveli më i lartë që nga tremujori i tretë 2022. Në 2023, shkalla e punësimit për moshën mbi 65-vjeç ishte mesatarisht 16.3%, ndërsa në 2022 ishte rreth 14.8%.

Punësimi i pensionistëve nisi të rritej pas vitit 2016, që përkon edhe me fluksin e azilkërkuesve në vendet e Bashkimit Europian. Kjo periudhë, bëri që hapësirat e lëna bosh nga të rinjtë në tregun e punës por edhe pensionet e ulëta, të shtyjnë pensionistë drejt punësimit. Në të gjitha qarqet e vendit ka ende shumë pensionistë punojnë në sektorët e arsimit, shëndetësisë për shkak se nuk ka të rinj për t’i zëvendësuar.

Por ky treg pune nuk është aspak tërheqës për të rinjtë pasi sipas të dhënave nga Anketa e Forcës së Punës, gjatë periudhës tetor-dhjetor të vitit 2023 ishin të punësuar mbi 253,5 mijë persona të moshës 15-29 vjeç, ose 21 mijë më pak se në të njëjtën periudhë të vitit 2022 dhe sipas INSTAT punësimi në këtë kategori ka rënë me -7.7%. Me përjashtim të periudhës korrik-shtator, kur është kulmi i turizmit, në tre tremujorët e tretë, numri i të punësuarve të grupmoshës 15-29 vjeç erdhi në rënie.

Sipas INSTAT, punësimi i pensionistëve pati një zgjerim vjetor me gati 50% në tremujorin e fundit të vitit 2023. Gati 82 mijë persona mbi 64 vjeç ishin në punë në tetor-dhjetor 2023, nga 54,5 mijë që ishin në të njëjtën periudhë të vitit 2022. Të dhënat tregojnë se ishin punësuar mbi 27 mijë pensionistë më shumë se në tremujorin e fundit të vitit 2022.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit