Pengmarrja e dy vëllezërve Beqiraj, në pranga krahu i djathtë i “Rrumit të Shijakut”

Shkruar nga: A Shehaj | Publikuar më: 16.04.2024, 10:49

Policia e Durrësit ka arrestuar këtë të martë shtetasin Agron Bejdollin, i cilësuar si krahu i djathtë i Aleksandër Lahos i njohur ndryshe si “Rrumi i Shijakut”.

Bejdolli ishte shpallur në kërkim pas pengmarrjes së dy vëllezërve, Indrit dhe Gentian Beqiraj më 2 tetor 2022. Ndaj tij gjykata e Durrësit, kishte caktuar masën e sigurisë ‘arrest me burg’ për akuzën “heqje e paligjshme të lirisë (pengmarrje)” në bashkëpunim me "Rrumin e Shijakut". 33-vjeçari u arrestua në shtëpinë e një kushëriri të tij në Spitallë të Durrësit.

Bejdolli akuzohet se më datë 02.10.2022, në Maminas, në bashkëpunim me shtetas të tjerë, i ka hequr lirinë shtetasit Indrit Beqiraj. Ky i fundit ishte duke udhëtuar me motor bashkë me vëllain e tij Gentianin, kur u mor peng nga Bejdolli.

Por kur ai e kuptoi se po ndiqej nga policia e la të lirë Beqirajn, i cili menjëherë pas shpëtimit u arrestua për shkak të aktivitetit të tij kriminal, kryer në bashkëpunim me vëllain. Arrestimi i tyre solli zbardhjen e disa prej ngjarjeve kriminale që kanë ndodhur por edhe që ishin porositur e nuk ndodhën.

Si rrjedhojë u arrestuan 14 eksponentë të krimit, ndërsa 5 të tjerë u shpallën në kërkim. Mes këtyre të fundit ishte dhe 33 vjeçari Bejdolli.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit