“Premtimet e kryebashkiakes së Kurbinit mashtrime, blen perde për bashkinë dhe s’rregullon rrugët”

Shkruar nga: A Shehaj | Publikuar më: 16.04.2024, 08:42

Investimet e pushtetit vendor për luksin dhe rehatinë e tyre s’kanë fund, por për hallet e qytetarëve, premtimet elektorale mbeten të tilla edhe pasi kalojnë vite nga zgjedhjet vendore.

Qytetarët e Laçit ndihen të braktisur nga kryebashkiakja e Kurbinit, Majlinda Cara pasi premtimet e dhëna përpara marrjes së votave, iu kanë rezultuar mashtrime.

Ata i janë drejtuar redaksisë tonë për të denoncuar gjendjen skandaloze dhe të mjerueshme të rrugës që të çon nga ish-Uzina deri te varrezat publike në Shullaz. Ata thonë se kjo rrugë është aq e shkatërruar saqë qytetarët më shumë duhet të shqetësohen për makinat që prishen nga gropat e pafundme sesa nga dhimbja që kanë për të dashurit e larguar nga jeta.

Sipas qytetarëve, për rregullimin e kësaj rruge premtim ka bërë edhe kryeministri Edi Rama para tërmetit, por edhe kryebashkiakja para zgjedhjeve.

Por në të dyja rastet këto premtime kanë mbetur vetëm fjalë pasi qytetarët thonë se në buxhetin e vitit 2024 nuk është parashikuar asnjë investim për këtë rrugë kaq të rëndësishme.

Në vend që të blejë perde dhe mobilje për bashkinë, qytetarët i kërkojnë kryebashkiakes Cara që të mbajë premtimet, së paku për të vdekurit.

Denoncimi i qytetarit:

Përshëndetje JOQ! Ju falenderoj për punën që bëni, duke pasqyruar pa filtra shqetësimet e njerëzve të zakonshëm. Për fat të keq, këto shqetësime nuk gjejnë vend në mediat tradicionale. Disave prej tyre u kam kërkuar me përulje që të pasqyrojnë një gjendje skandaloze të rrugës së varrezave publike në Laç (në Shullaz), por s’kam marrë asnjë përgjigje. Për këtë arsye po drejtohem tek ju, me besimin se do ta pasqyroni këtë shqetësim. Po ju dërgoj një video, të filmuar pak ditë më parë. Nga rruga kryesore që të çon tek ish-Uzina deri tek varrezat publike (Shullaz) është më pak se 1 km, por rruga është në gjendje të mjerueshme.

Duket dikur makina do të këputet në mes nga momenti në moment. Ndoshta, rrugët antike romake janë më të mira sesa kjo, ku, sapo mbaron një gropë, nis një tjetër. Në vend që njerëzit ta kenë mendjen tek të dashurit që kanë humbur dhe që shkojnë t’i kujtojnë, duhet të kenë mendjen për të mos dëmtuar makinën për shkak se asfalti i rrugës është zhdukur. Rruga përdoret çdo ditë nga banorët e zonës, të cilët kanë kërkuar ndërhyrjen e kryetares së bashkisë, por s’kanë asnjë përgjigje.

Para zgjedhjeve u premtua se rruga do të shtrohet. Këtë e premtoi Rama edhe në kohën që vizitonte Laçin para tërmetit, por sot e kësaj dite premtimet kanë rezultuar mashtrim. As në buxhetin e vitit 2024 nuk është parashikuar asnjë ndërhyrje në rrugën e varrezave publike në Shullaz. Në vend që të blejë perde dhe mobilje për bashkinë, Kryebashkiakja bën mirë të mbajë premtimin. Por edhe nëse nuk e bën për të gjallët, le ta bëjë për të vdekurit!

Shpresoj të mos jem zgjatur shumë dhe uroj që ta publikoni këtë video denoncim dhe ta ndiqni çështjen, duke vendosur para përgjegjësisë kryebashkiaken e Kurbinit! Ju falenderoj! https://www.bashkiakurbin.gov.al/?page_id=3230 Linku i buxhetit 2024 per bashkine Kurbin, ku listohen dhe investimet.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit