Euro në rënie drastike, i afrohet rekordit të korrikut 2023

Shkruar nga: A Shehaj | Publikuar më: 15.04.2024, 14:37

Monedha e përbashkët europiane ka arritur një rekord të ri rënieje ditën e sotme.

Referuar Bankës së Shqipërisë, këtë të hënë, euro po shkëmbehet me 100.78 lekë dhe ky kurs është shumë pranë nivelit minimal historik prej 100.49 lekësh, që u regjistrua në 20 korrik të vitit 2023.

Kjo rënie drastike ka nisur prej disa javësh, por sot ka arritur rekordin për vitin 2024 i cili parashikohet të ketë një fluks të shtuar turistësh dhe rrjedhimisht edhe qarkullim të monedhës europiane.

Ekspertët janë të shqetësuar për këtë situatë pasi të prekur nuk janë vetëm qytetarët që kanë të ardhura në këtë monedhë ose kryejnë transaksione me të por edhe ekonomia e jashtme e eksportuesit.

Sipas tyre shtimi i sasisë së euros në qarkullim, ul në mënyrë direkte eksportet dhe dëmton rëndë biznesin shqiptar.

Eksportet vazhdojnë që të jenë goditur tmerrësisht fortë dhe rënia e eksporteve në një masë të madhe i dedikohet edhe se kursi i këmbimit ka patur atë dinamike historike gjatë dy viteve të fundit.

Banka e Shqipërisë ka nisur që prej vitit 2018 një strategji për uljen e euroizimit të sektorit financiar dhe ekonomisë, por rezultatet deri tani janë të pakta dhe euro vazhdon të ketë përdorim shumë të lartë në ekonominë tonë.

Tanimë nuk është vetëm turizmi, sektori me përdorimin më të gjerë të euros, por edhe ndërtimi e investimet e huaja. Vlen të thuhet se shumë prej transaksioneve e shërbimeve në këto sektorë kryhen në mënyrë direkte me euro dhe kjo sjell rënie në kursin e këmbimit por shtim të madh të qarkullimit të saj në tregun e brendshëm.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit