Shqipëria, e gjashta në Europë për numrin e vdekjeve në aksidente rrugore

Shkruar nga: A Shehaj | Publikuar më: 15.04.2024, 10:17

Edhe pse Instituti i Statistikave raporton një ulje të ndjeshme të vdekjeve nga aksidentet rrugore, të dhënat e Eurostat tregojnë të kundërtën pasi sipas tyre vdekjet nga aksidentet rrugore në Shqipëri mbeten ndër më të lartat në Europë.

Në vitin 2022, INSTAT raportoi 164 vdekje nga aksidentet me makinë, ose 59 persona për 1 milion banorë. Por kjo shifër është më e lartë sesa mesatarja e Bashkimit Europian prej 46 viktimash për 1 milionë banorë, sipas të dhënave të publikuara nga Eurostat.

Në Evropë Rumania mban vendin e parë për numrin më të lartë të vdekjeve në aksidente rrugore, 86 vdekje për 1 milion banorë, më pas vjen Bullgaria (78), Kroacia (71), Greqia (63), Portugalia (60) dhe Shqipëria në vendin e gjashtë me 59 vdekje për 1 milion banorë.

Sipas Eurostat, në vendet e Bashkimit Europian gjatë vitit 2022, 20 653 persona kanë humbur jetën nga aksidentet e trafikut rrugor duke shënuar një rritje prej 4 për qind krahasuar me vitin 2021 (19 917 viktima). Numri i viktimave është rritur për dy vite radhazi pas rënies drastike në vitin 2020 (18 833) ku një ndikim të madh patën kufizimet për shkak të pandemisë Covid-19. Shkalla me e lartë e vdekshmërisë rrugore u regjistrua në Rumani, ndërsa më e ulëta në Suedi.

Në vitin 2022, në BE kishte mesatarisht 46 viktima në trafikun rrugor për 1 milion banorë. Duke marrë në konsideratë popullsinë e çdo vendi të BE-së, shkalla më e ulët e vdekjeve në rrugë në vitin 2022 u regjistrua në Suedi (22 vdekje rrugore për 1 milion banorë), e ndjekur nga Danimarka (26) dhe Irlanda (31).

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit