Ashpërsohet Kodi Penal: 8 vite burg kush u shet cigare të miturve

Shkruar nga: A Shehaj | Publikuar më: 11.04.2024, 17:23

Të gjithë ata persona që i shesin duhan, cigare elektronike, nargjile, puro apo lloje të tjera duhani personave nën 18-vjeç, do të përballen me gjoba nga 100 mijë lekë dhe deri në 8 vite burg.

Projektligjet e propozuara si ndryshime në Kodin Penal, synojnë mbrojtjen e shëndetit nga këto produkte dhe vënien para përgjegjësive të shitësve të tyre.

Konkretisht në Kodin Penal propozohet të shtohet një nen 288/c, ku përcaktohet se ata persona që tregtojnë këto produkte tek të rinjtë nën 18 vjeç që janë ndëshkuar më parë do të gjobiten nga 100-300 mijë lekë ose burg deri në 6 muaj. Në rast të përsëritjes së shkeljes, gjoba do të jetë 300-500 mijë ose burg nga 6 muaj deri në 1 vit. Kur si pasojë e kryerjes së veprës penale të parashikuar në paragrafin e parë dhe të dytë të këtij neni, ka ardhur si pasojë dëmtimi i rënde i shëndetit të të miturit, dënimi është nga 4 deri në 8 vjet burgim. Ndërsa në rastet kur shkaktohet vdekje prej këtyre produkteve, dënimi – thuhet në projektligj – do të jetë 8 deri ne 16 vjet burgim.

Në relacion theksohet fakti se këto masa shtrënguese propozohen për shkak se përdorimi i duhanit, cigareve elektronike apo produkteve të tjera të duhanit nga fëmijët e të rinjtë është në rritje vitet e fundit dhe marrja e masave të tilla është e rëndësishme për reduktimin e personave me sëmundje kronike.

Një raport i fundit nga OBSH, tregonte se duhanpirja në nivel global ka pësuar ulje tek grupmosha 13-15 vjeç, por e kundërta ndodhte me vendin tonë. Shqipëria qëndron në nivele të larta të duhanpirjes në këtë grupmoshë, duke arritur në 9.3%, nga 5.1% që është në nivel global.

Referuar raportit të fundit mbi konsumin e duhanit në nivel global, 1 në 5 të rritur është duhanpirës.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit