Stani me 3 mijë rrënjë kanabisi zbulohet në Lezhë, i përfshirë edhe vëllai i deputetit socialist

Shkruar nga: A Shehaj | Publikuar më: 11.04.2024, 11:42

Një stan i përshtatur për kultivimin e bimëve narkotike, kanabis sativa, është zbuluar së fundmi në pyjet e fshatit Kashnjet, Lezhë.

Për kultivimin e kanabisit, stani ishte përshtatur me llamba që furnizoheshin me lidhje të paligjshme të energjisë elektrike dhe pajisje ventilimi. Armel Nikdukaj 27 vjeç dhe Elvis Shpellzai 28 vjeç banues në Koplik, janë arrestuar në flagrancë brenda ambienteve të këtij stani, ndërsa i ndaluar nga policia është edhe Armando Ndreca, vëllai i deputetit socialist, Eduard Ndreca.

32-vjeçari Ndreca po merret në pyetje nga policia pasi dyshohet se është i përfshirë në këtë veprimtari kriminale me kunatin e tij dhe të arrestuarin tjetër.

Në ambientet e stanit u gjetën dhe u sekuestruan 2973 bimë narkotike (disa prej tyre fidanë të gatshëm për t’u kultivuar në tokë), një sasi lënde narkotike cannabis sativa, 50 llamba, pajisje ventilimi, sende të tjera që i shërbenin kësaj veprimtarie kriminale dhe 3 celularë. Ndërsa në banesat e 2 të arrestuarve në flagrancë, policia gjeti 3 armë të ftohta dhe 1 maskë.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit