Polici i AMP Shkodër dhunon komshiun e moshuar për pronën

Shkruar nga: M Gjini | Publikuar më: 09.04.2024, 20:41

Një qytetar i moshuar nga Shkodra ka denoncuar pranë redaksisë sonë një akt dhune nga një efektiv i Agjencisë së Mbikqyrjes Policore në Shkodër. I moshuari 73-vjeçar ka shpjeguar pranë redaksisë së Joq të gjithë kalvarin e vuajtjeve të tij nga polici i AMP, Maoricio Sheldija.

Sipas të moshuarit, polici Sheldija ka shfrytëzuar punën dhe njohjet e tij në polici për të dhunuar të moshuarin në lidhje me një pronë të cilën i moshuari në fakt e ka fituar me gjyq. 73-vjeçari shprehet se ka një pronë në lagjen Ndoc Mazi, përkatësisht banesë e cila është e ndarë me dhoma.

Banesa është në emrin e të moshuarit me çertifikatë pronësie, sipas aktit të dhurimit nga babai dhe nëna. Por para disa kohësh i moshuari ka patur mosmarrëveshje me shtetasin Vinçens Sheldija në lidhje me këtë pronë, ku pas disa seancash gjyqësore është vendosur që kjo pronë është e tij. Është vendosur që kjo pronë të lirohet dhe të vihet në dispozicionin e të moshuarit, ku vendimi i fundit është i vitit 2023 dhe është i formës së prerë.

73-vjeçari vazhdon denoncimin duke thënë se më datë 03.04.2024, kanë ardhur nga Amerika Vinçensi dhe bashkëshortja e tij shtetasja Volfrida Sheldija dhe bashkë me djalin e tyre shtetasin Mauricio Sheldija, ku ky i fundit është efektiv i AMP Shkodër.

Rreth orës 17.30 të asaj date ata kanë hyrë në banesën e të moshuarit ku ai jeton i vetëm në dhomën ku në atë kohë po ushqehej. I moshuari shprehet se këta shtetas kanë filluar ta ofendojnë dhe kërcënojnë me fjalë banale në lidhje me faktin që kishte fituar gjyqin për pronën në fjalë.

I moshuari kam marrë celularin nga tavolina dhe është përpjekur që të bëj filmim duke qënë se ishte i vetëm për të dokumentuar debatin. Por në momentin që është përpjekur ta ndizte për të filmuar, polici Mauricio Sheldija e goditi me grusht te dora dhe celulari ra në tokë dhe u thye. Sipas 73-vjeçarit, gjatë konfrontimit, Mauricio Sheldija i kërkonte shtetases Volfrida Sheldija që ta godiste.

Pas disa minutash këta shtetas dolën nga banesa e tij dhe u larguan ku më pas erdhën shërbimet e policisë dhe e shoqëruan në Komisariatin e Policisë Shkodër. Në lidhje me këtë ngjarje i moshuari mësoi se shtetasit që ishin konfliktuar me të në banesën e tij, kishin bërë kallëzim ndaj tij. Madje shtetasi Vinçens Sheldija ka kërkuar urdhër mbrojtje të cilin ia ka miratuar Gjykata me afat 45 ditë deri kur të bëhet gjyqi.

I moshuari denoncon se këto pretendime i ka shprehur edhe te oficeri i policisë gjyqësore dhe në gjykatë gjatë seancës gjyqësore të urdhrit të mbrojtjes por asnjëri prej tyre nuk ia ka vënë veshin. I moshuari ka bërë edhe kallëzim në Prokurorinë e Shkodrës, të cilin e gjeni në vijim.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit