Dani Alves shpallet fajtor për përdhunimin e 23-vjeçares, dënohet me 4.5 vite burg

Shkruar nga: A Shehaj | Publikuar më: 22.02.2024, 12:44

Prokuroria Publike e Barcelonës ka shpallur Dani Alves fajtor për përdhunimin e një 23-vjeçareje në një klub nate në Spanjë në dhjetor 2022 dhe e ka dënuar atë me 4.5 vjet burg .

Ish-futbollisti i Barcelonës dhe Brazilit është dënuar nga prokuroria spanjolle me 4.5 vite burg dhe 150 mijë euro gjobë, ndërsa për 9.5 vite nuk do të mund të ketë asnjë kontakt me vajzën. Në të njëjtën kohë, pas përfundimit të dënimit me burg, Alves do të monitorohet nga autoritetet spanjolle për pesë vitet e ardhshme.

40-vjeçari, i cili është një nga futbollistët më të dekoruar në histori, ka mohuar vazhdimisht sulmin seksual, të ndodhur në orët e para të 31 dhjetorit 2022. Por gjykata arriti të siguronte prova të tjera përveç dëshmisë së vajzës që vërtetonin se ajo ishte përdhunuar.

Alves është mbajtur në paraburgim që nga janari i vitit 2023 dhe gjatë gjykimit ai ka ndryshuar dëshminë e tij në disa raste. Ai fillimisht mohoi të njihte akuzuesen e tij, por më pas ndryshoi mendim dhe pranoi se e kishte takuar atë në tualet, por se asgjë nuk kishte ndodhur mes tyre. Ai më pas ndryshoi versionin e tij të ngjarjeve përsëri, duke thënë se ata kishin bërë seks konsensual.

Prokurorët thanë se Alves dhe shoku i tij kishin blerë shampanjë për tre vajza të reja përpara se braziliani t'i kërkonte njërës prej tyre ta shoqëronte në një tualet. Në atë moment ai u bë i dhunshëm, duke e detyruar vajzën të bënte seks pavarësisht kërkesave të saj të përsëritura për t'u larguar.

Alves ka luajtur më shumë se 400 herë për Barcelonën, duke fituar gjashtë tituj të ligës dhe tre Champions League në dy periudha me klubin. Ai ishte gjithashtu pjesë e skuadrës së Brazilit për Kupën e Botës 2022.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit