Borrell takon ndaras Kurtin dhe Vuçiqin

Shkruar nga: B Hasi | Publikuar më: 16.02.2024, 15:59

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq po qëndrojnë në Gjërmani.

Ata do të marrin pjesë në konferencë për siguri.

Në këtë konferencë Kurti e po ashtu Vuçiq do të zhvillojnë takime të ndara me shefin e diplomacisë së Bashkimit Evropian, Josep Borell.

Kjo është konfirmuar nga vetë Borell.

Nuk është në planifikimet e mia, nuk është në agjendën time, por nëse do të ishte i mundur, ne do të ishim të lumtur. Në të kundërtën, unë duhet të tentoj ta arrij këtë [takimin Kurti-Vuçiq] diku tjetër”, tha Borrell në Munih, raporton REL.

Kurti dhe Vuçiq janë në mesin e dhjetëra udhëheqësve nga e mbarë bota që po marrin pjesë në Konferencën e Sigurisë në Munih, që nis punimet më 16 shkurt.

Zyrtari i lartë evropian do të takohet me Kurtin të premten, ndërkaq një ditë më vonë do të zhvillojë takim me Vuçiqin.

Pjesëmarrja e Kurtit dhe Vuçiqit në Munih po ndodh në një kohë kur janë rritur tensionet mes dy shteteve të tyre, për shkak të vendimit të Kosovës për të ndaluar dinarin serb për kryerjen e pagesave me para të gatshme.

Bashkimi Evropian ka kërkuar që për rregulloren e Bankës Qendrore të Kosovës, Kosova dhe Serbia të diskutojnë në Bruksel, në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga blloku evropian.

Kjo rregullore hyri në fuqi më 1 shkurt dhe autoritetet kosovare thanë se ajo po zbatohet përmes një faze lehtësuese tranzitore, e cila do të zgjasë jo më shumë se tre muaj.

Shtetet e Bashkuara kanë kritikuar rregulloren e BQK-së – e cila parasheh që vetëm euroja të jetë valuta për pagesa me para të gatshme – dhe kanë kërkuar shtyrjen e zbatimit të saj. Ambasadori amerikan në Prishtinë, Jeff Hovenier, ka deklaruar se mospërmbushja e kërkesës amerikane, veçse ka ndikuar në raportet mes Uashingtonit dhe Prishtinës.

Serbia e ka kritikuar ashpër rregulloren e BQK-së, duke e interpretuar si synim të Qeverisë së Kosovës për dëbim të serbëve. Shteti serb ndan miliona euro për serbët në Kosovë pasi ua paguan atyre – përmes një sistemi paralel – rrogat, pensionet dhe ndihmën shtesë.

Banka Popullore e Serbisë i ka dërguar prej vitesh dinarët në një kasafortë në komunën e Leposaviqit, në veri të Kosovës, dhe ato më pas janë transportuar nga kompania ndërkombëtare Henderson.

BQK-ja ka thënë se një praktikë e tillë është e paligjshme, pasi vetëm ajo mund të bëjë eksport dhe import të monedhave dhe kartëmonedhave brenda territorit të Kosovës.

Kushtetuta e Kosovës përcakton që duhet të ekzistojë vetëm një valutë për kryerje të pagesave me para të gatshme.

Kosova përdor euron si valutë të saj që nga viti 2002, pavarësisht se nuk është pjesë e Eurozonës.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit