Italia e Maqedonia e Veriut ulin me 10% çmimet, për shqiptarët s’kujtohet askush

Shkruar nga: A Shehaj | Publikuar më: 28.09.2023, 23:59

Qeveria italiane duke menduar për shtetasit e saj ka vendosur që të ulë çmimet e produkteve të shportës bazë ushqimore.

Në bazë të një marrëveshje të nënshkruar mes shoqatave të prodhuesve dhe supermarketeve vendase, mishi, qumështi, sheqeri, vezët, mielli, orizi, por edhe pelenat dhe barnat pa recetë do shiten me çmim të reduktuar deri në 10%.

Një ndihmë të tillë për të mirën e qytetarëve e ka dhënë edhe Maqedonia e Veriut pak javë më parë.

Me vendim të Ministrit të Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi, mbi 100 produkte ushqimore përfshirë orizin e bardhë, miellin e misrit, bukën, pastat, prodhimet e mishit, bulmeti, vezët, fruta-perimet e freskëta dhe disa prodhime tjera kanë pësuar ulje të çmimit prej minimum 10% nga çmimi që kanë pasur më 1 gusht të këtij viti.

Ministri maqedonas tha se këto masa do të ndikojnë në ulje të inflacionit të përgjithshëm ndërsa vetëm në pjesën e ushqimit deri në fund të vitit inflacioni nuk do të jetë më i lartë se 5%.

Por në një kohë që vendet fqinje marrin masa të tilla për të mirën e qytetarëve të tyre, shqiptarët edhe pse paguajnë taksat si gjithë të tjerët, vazhdojnë të blejnë me çmime stratosferike.

Rasti konkret është muaji Gusht ku shqiptarët janë përballur me çmime që kanë pësuar rritje deri në 8.2%.

Sipas të dhënave zyrtare nga INSTAT, në Gusht rritja më e madhe e çmimeve prej 8,2 % është vënë re në grupin “Ushqime dhe pije joalkoolike”, pasuar nga grupet “Mobilim, pajisje shtëpie dhe mirëmbajtje” me 6,3 %, “Argëtim dhe kulturë” me 6,1 %, “Hotele, kafene dhe restorante” me 4,6 %.

Me këto ritme dhe pa asnjë lloj ndërhyrje nga shteti e Ministria e Financave, duket se deri në fund të vitit, inflacioni në Shqipëri do arrijë majat.

Pasojat e rritjes së çmimeve po i shohim dita-ditës tek të gjitha shtresat e popullsisë, që po blejnë më pak e më shtenjtë.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit