Sikur të mos mjaftone betonizimi cep e më cep i Tiranës dhe kullat në zemër të kryeqytetit, kryebashkiaku Erion Veliaj po zapton pak nga pak edhe oazin e fundit që i ka mbetur kryeqytetit, parkun e liqenit.
Qytetarë të shqetësuar zbulojnë për redaksionë tonë se tanimë, me bekimin e plotë të Bashkisë Tiranë, ndërtimet kanë nisur edhe në zonën e Gardës.
Pavarësisht zotimeve të Veliaj se zona e Gardës dhe liqenit nuk do të prekej, këtij parku po i afrohet betonizimi nga të gjitha krahët.
Në fotot që kanë mbërritur në redaksinë tonë, shihet qartazi nisja e punimeve për ndërtimin e kullave të rëja në zonën e Gardës.
Përmes një deklarate për mediat kryetari i bashkisë Erion Veliaj në tetor 2018 shprehej se territori që deri më sot ka shërbyer si Garda e Republikës, do t’i kthehet qytetarëve si pjesë e parkut për çlodhje dhe argëtim.
Dy vite më vonë, me vendimin nr.15308, datë 12.05.2020 Bashkia Tiranë hartoi Planin e Detajuar Vendor, të kësaj zone ku situata paraqitet e ndryshme nga ajo që u premtua. Në këtë territor parashikohet një sipërfaqe ndërtimi prej 102,979 m2 ndërtim, ndërsa hapësira publike e të gjithë zonës pritet të jetë 17,577 metra katrorë, hapësirë kjo më e vogël se 2.5 hektarët që Kryebashkiaku premtoi se do t’i riktheheshin parkut.