Pirro Vengu bën tender 3-vjeçar për gjelbërimin e kullave të arabëve

Shkruar nga: M Gjini | Publikuar më: 05.09.2023, 21:52

Siç të gjithë e dimë, prej pak muajsh ka filluar shitja në ajër e apartamenteve në kullat e arabëve që do të ndërtohen tek porti i Durrësit. Por ndonëse këto kulla do të fillojnë ndërtimin shumë shpejt, për çudi Pirro Vengu ka bërë një tender që mban erë korrupsioni të pastër.

Ai ka planifikuar të harxhojë plot 130 mijë euro për të gjelbëruar për tre vjet Portin e Durrësit, por vetëm se ka “harruar” diçka “të vogël”. Aty ku do të bëhet gjelbërimi nuk do të jetë më territor i Portit të Durrësit, por kompleksi i shumëpërfolur i arabëve të cilët thonë se do të ngrenë kulla dhe ndërkaq kanë filluar të arkëtojnë paratë e shqiptarëve duke shitur apartamente në ajër.

Këtu shtrohen dy probleme. Ose Pirro Vengu është duke vjedhur “vënçe” paratë tona duke bërë një tender që pas fare pak kohësh nuk do të ketë lidhje me Portin e Durrësit. Ose e dyta, ndërtimi i kullave të arabëve është thjesht një skemë piramidale e pastër dhe nuk do ndërtohet asgjë përveçse vjedhjes së parave të atyre të gjorëve që kanë investuar dhe do të investojnë.

Ndoshta Pirro Vengu e di këtë gjë dhe vazhdon punën e tij i qetë, i bindur se Porti Durrës do të vazhdojë aty ku është e se nuk do të ndërtohet asnjë kullë arabësh. Sidoqoftë, cilado të jetë arsyeja nga dy pikat e mësipërme, do të jetë vetëm populli ai që do ta “hajë”.

Sa për procedurë, tenderi i hapur nga Pirro Vengu mban numrin e referencës REF-78519-08-29-2023 dhe ka si objekt “Mirëmbajtje gjelbërim për 3 vite”. Tenderi është hapur në datë 30-08-2023 dhe mbyllet në datë 14-09-2023. Është llogaritur me një fond limit në vlerën 11,865,651 lekë të reja pa TVSH ose rreth 130 mijë euro me kursin e sotëm.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit