Merkatoja europiane drejt mbylljes, zbulohen tre transferimet e orëve të fundit

Shkruar nga: Bardh Kodheli | Publikuar më: 01.09.2023, 13:12

Mund t’ju duket e çuditshme, por Leonardo Bonucci është lojtari më i ri i Union Berlin në Gjermani. Gjiganti i mbrojtjes së Juventusit për shumë vite u largua mes polemikash nga bardhezinjtë dhe ditën e djeshme është zyrtarizuar në klubin gjerman, që në vitet e fundit ka shënuar një rritje të ndjeshme dhe këtë sezon luan në Champions League.

Ndërkohë, po në orët e fundit të merkatos, Manchester United ka arritur të sigurojë shërbimet e një portieri, që do të konkurrojë fort për një vend në formacion me Andre Onanën. “Djajtë e Kuq” kanë firmosur më shtatlartin turk, Altay Bayindir, që vjen nga gjigantët e Fenerbahçes për 7 milionë euro. 25-vjeçari ka firmosur kontratë për katër vitet e ardhshme.

Sakaq, edhe Interi ka arritur të përmbyllë një transferim të bujshëm në radhët e veta. Zikaltërit kanë arritur të kompletojnë në kohë transferimin e mesfushorit të Ajaxit, Davy Klaassen, i cili ka zbarkuar në Milano për vizitat mjekësore dhe pritet që ditën e sotme të prezantohet dhe të firmosë kontratë për 2 vite.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit