Luiza Gega e pandalshme, shkërmoq rekordin Kombëtar në garat e Diamond League në Budapest

Shkruar nga: Bardh Kodheli | Publikuar më: 01.09.2023, 09:18

Luiza Gega vijon të tregojë se është një nga atletet më të mira të botës në disiplinën e 3 mijë metrave me pengesa. Së fundmi ajo ka arritur të thyejë rekord të ri kombëtar në këtë disiplinë në garat e Diamond League, shumë të rëndësishme për pikavarazhin e pjesëmarrjes në Lojërat Olimpike.

Në Zyrih, atletja nga Dibra ka arritur të ndalë kronometrin në 9:09:64, duke u renditur e katërta, teksa asnjë evropiane tjetër nuk arriti të ishte mbi të në renditje. Rekordi i mëparshëm Kombëtar ishte 9:10.27, i vendosur Po nga Gega një vit më parë në Kampionatin Botëror në SHBA.

Ashtu si në Botëror, Luiza nuk ka shkuar në formën më të mirë në Diamond League për shkak se vuan një dëmtim të gradës së parë, të pësuar dy javë më parë. Por duket se ashtu si në Botëror, kjo nuk e ndali atleten tonë të mahnitë, duke u renditur e katërta.

Podiumi u përcaktua nga treshja e Botërorit të Budapestit të para disa ditëve. E para doli keniania Mutile Winfred Yavi, e cila përfaqëson Bahrejnin. Ajo fiksoi kohën 9:03.19. Pas saj u klasifikuan dy sportistet e Kenias, Beatrice Chepkoech me kohën 9:03.70 dhe Faith Cherotich me rezultatin 9:07.59.

Menjëherë më pas në finish mbërriti kampionia jonë, e cila në Botëror arriti të zërë vendin e tetë, një arritje për atletikën shqiptare, që asnjëherë më parë nuk ka arritur të nxjerrë një sportist elitar të niveleve të Luiza Gegës, që në këto dy vite po kalon kulmin e karrierës së saj.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit