Një skandal i vërtetë është zbuluar nga mediat së fundmi, që ka të bëjë me keqpërdorimin e fondeve të Bashkimit Europian të dhëna për bujqësinë. Në vend që të shkonin për bujqësi, paratë janë përdorur për të restauruar bujtina në Dhërmi, mes të cilave edhe kompleksin “Zoe Hara”, sipas Prapaskena.
Bëhet fjalë për fondet e programit IPARD, që detyroi BE pak ditë më parë në një reagim të paprecedent që të bllokonte këto fonde për Shqipërinë. Shkak u bë një raport i OLAF, Zyra Europiane kundër Mashtrimit, që ka për detyrë të hetojë dyshimet për abuzim me fondet e BE. Mësohet se rreth 40 ekspertë do të mbërrijë nga BE për të verifikuar se ku kanë përfunduar paratë e dhëna.

E zeza mbi të bardhë, në një letër të KE ndaj qeverisë shqiptare thuhet se: “Disa projekte të financuara si pjesë e programit IPARD II u gjetën me parregullsi, të tilla si krijimi artificial i kushteve për të përfituar grante më të larta, lidhje të paligjshme ndërmjet ofertuesve, çmime të fryra, mosmbajtja e dokumentacionit origjinal, investime të ndërtuar në një vend të ndryshëm nga kontrata e grantit, oferta false etj”.

Një ndër projektet më problematike është ai i Dhërmiut. Sipas mediave në krye të mashtrimit janë dy biznesmenë të njohur, njëri prej të cilëve pronar i një televizioni shumë të njohur. Nga mediat bëhet me dije se bëhet fjalë për biznesmenin A.F. Ndërsa biznesmeni tjetër, është Lorenc Gjikuria.

Në media përmenden se edhe disa analistë mediatikë kanë përfituar vila në këto bujtina të restauruara me fondet e dhëna për bujqësinë nga BE.
Nga ana tjetër sipas Oligarkia.al rezulton se biznesi që ka përfituar këto fonde nuk ka fare lidhje me bujqësinë por në objektin e tij të aktivitetit shkruhet se merret me zhvillimin në turizëm, bar restorant, hoteleri dhe dhënie me qira të pasurive të paluajtshme. Bëhet fjalë për “Coast to Coast” në pronësi të Xheni dhe Florenc Gjikuria.

Kjo kompani ka përfituar fonde për bujqësinë, por që rezulton t’i ketë përdorur për restaurimin e komplekseve të vilave të tyre. Është ende e paqartë se si mund të ndihmohet bujqësia shqiptare duke ndërtuar resorte e vila luksoze?