Pas denoncimit në JOQ, pezullohet polici që vodhi paratë në lavazhin në Shkodër

Shkruar nga: A Shehaj | Publikuar më: 01.06.2023, 20:17

Më herët në JOQ ALBANIA u denoncua rasti i një efektivi policie që vodhi paratë nga makina e një qytetareje në një lavazh në Shkodër.

Në denoncim e pronarit të lavazhit thuhej se polici mori zarfin me para nga dera e makinës së qytetares dhe e futi poshtë kapeles së shërbimit.

Duke marrë shkas nga ky denoncim por edhe gjest aspak i hijshëm, ka reaguar Drejtoria Vendore e Policisë Shkodër.

Në një njoftim për mediat thuhet se punonjësi i Policisë nënkomisar Sh. Gj., me detyrë specialist i Policisë së Rendit në Komisariatin e Policisë Shkodër është pezulluar nga puna për shkelje të procedurave standarte të punës.

Reagim i Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër

Në lidhje me një video të publikuar në portalin JOQ në të cilën shfaqet një punonjës policie në shkelje të procedurave standarte të punës, ju sqarojmë se:

Drejtori i Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër ka pezulluar menjëherë nga detyra punonjësin e Policisë nënkomisar Sh. Gj., me detyrë specialist i Policisë së Rendit në Komisariatin e Policisë Shkodër, si dhe është njoftuar edhe AMP në lidhje me rastin.

Ndërkohë Drejtoria e Standarteve Profesionale në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit ka nisur hetimin disiplinor për shkelje të rëndë.

Policia e Shtetit siguron qytetarët se është e vendosur për të mos toleruar asnjë rast të abuzimit me detyrën apo të cenimit të imazhit të Policisë dhe të besimit të qytetarëve të Policia e Shtetit.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit