Ja kush është Dusan Obrenoviq, i arrestuari për sulm ndaj KFOR-it në Zveçan

Shkruar nga: B Hasi | Publikuar më: 01.06.2023, 14:00

Dusan Obrenoviq, i cili ishte arrestuar nga Policia e Kosovës për sulm ndaj trupave të KFOR-it në Zveçan, njihet për raporte të afërta me anëtarë të organizatës fashiste të ekstremit të djathtë “Fronti i Solidaritetit Evropian për Kosovën – ESFK”, e cila ka lidhje të ngushta me Rusinë dhe promovon ndjenja anti-perëndimore.

Në vitin 2019, Policia e Kosovës kishte ndaluar tetë anëtarë të organizatës së ekstremit të djathtë ESFK, me arsyetimin se ata kishin planifikuar që gjatë ndeshjes së futbollit të kombëtares së Kosovës kundër Çekisë, ta ngritnin dronin mbi stadium me flamurin me mbishkrimin “Kosova është Serbi”. Shumica nga të ndaluarit ishin shtetas të Republikës së Çekisë, me lidhje të forta me Rusinë.

Dy muaj para ndalimit të shtetasve të Çekisë nga Policia e Kosovës, ata ishin pritur në Mitrovicën e veriut nga Dusan Obrenoviq dhe kanë pozuar para urës kryesore mbi lumin “Ibër”, shkruan KosovaPress.

Në muajin Shtator 2022, dy anëtarëve të kësaj organizate (ESFK), Dimitrije Markovic dhe Nenad Jermic, u është ndaluar hyrja në territorin e Kosovës për shkak të aktivitetit të tyre kundër sovranitetit dhe sigurisë kombëtare të Republikës së Kosovës.

Njëri nga personat që i është ndaluar hyrja në Kosovë, Dimitrije Markovic, gjithashtu njihet për raporte të afërta me Dusan Obrenovic dhe që të dy janë pjesë e organizatës së ekstremit të djathtë “EFSK”, e cila udhëhiqet nga anëtari i partisë se ekstremit të djathtë gjerman, Maik Muller.

Anëtarët e organizatës së ekstremit të djathtë “ESFK” ishin shpërblyer nga Serbia për aktivitetin e tyre propagandues në Kosovë.

Protestuesit serbë po kundërshtojnë hyrjen e kryetarëve shqiptarë në ndërtesat komunale.

Situata në këto komuna është tensionuar të premten e 26 majit kur kryetarët e betuar u detyruan të futën në zyrat e tyre të punës nën asistencën e Policisë së Kosovës.

Si pasojë e protestave të dhunshme, janë plagosur gjashtë policë të Kosovës dhe 30 ushtarë të KFOR-it, ndërkohë që serbët kanë sulmuar edhe Policinë e Kosovës dhe gazetarët.

Shtetet e Bashkuara kanë kritikuar Kosovën për përshkallëzimin e tensioneve me Serbinë, derisa anuluan edhe pjesëmarrjen e vendit në një stërvitje ushtarake të NATO-s “Defender 23”, pasi Prishtina refuzoi t’i tërheqë kryetarët e komunave dhe forcat e saj policore nga veriu i vendit.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit