Tensionet e krijuara në Mitrovicën e Veriu, fillimisht i'u faturuan Albin Kurtit, si nxitës i dhunës dhe përshkallzmit të situatës. Ndërkombëtarët vunë gishtin mbi kryeministrin e Kosovës, i cili përtej çdo kritike, nuk e tërhoqi Policinë e Kosovës nga godinat e komunave. Garantimi i jetës së kryetarëve shqiptarë dhe e drejta që ata të kryenin detyrën e ngarkuar nga zgjedhësit, ishin dy arsye se përse Kurti rreshtoi Policinë e Kosovës përballë protestës së serbëve.
Mirëpo në momentin kur situatën e mori në dorë KFOR-i dhe serbët plagosën me dhjetra ushtarë, ndërkombëtarët përtypën fjalët e tyre dhe nisën t'i kërkojnë llogari Serbisë. Këtë herë dhunuese nuk ishte Policia e Kosovës, por serbët e frymëzuar nga Rusia.
Ndërkombëtarët kanë vijuar sërish, përpos tensioneve të krijuar nga serbët, me një presion ndaj Albin Kurtit për t'u ulur në dialog. Por në cilin dialog? Kosova ka kërkuar reciprocitet, njohje të targave, mundësinë shkëmbimi tregtar dhe garantimin e të drejtave për shtetasit e tyre në teritorin e Serbisë. Duket se dialogu është një fjalë me të cilët ndërkombëtarët janë kapur, pa pasur në vëmendje nxitjen tensioneve nga ana e serbëve.
Në të njëjtën gjuhë me ndërkombëtarët, janë edhe politikanët opozitar të Kosovës. Ramush Haradinaj është njëri prej tyre, i cili ka kërkuar dorëheqjen e Kurtit nga drejtimi i qeverisë, pasi po nxitë dhunë ndaj serbëve. Ata i kanë sygjeruar Kurtit të dëgjojë këshillat e SHBA-ve dhe BE-së, mirëpo kryeministri i Kosovës nuk tëriqet. Po përse nuk i dëgjon "këshillat" e ndërkombëtarëve Albin Kurti?
Në shkurt të këtij viti, nga Parlamenti i Kosovës, Albin Kurti bëri të qartë se bashkëpunimi me ndërkombëtarët është deri në pikën kur nuk preken interesat e popullit të tij. Ai la të nënkuptoj se nuk do të kthehet në një kukull të ndërkombëtarëve, por se do të mbrojë Kushtetutën e Kosovës, dhe qytetarët e tij.