Sfidon edhe bandat shqiptare, lojtari i kombëtares së Holandës akuzohet për 1,36 ton kokainë

Shkruar nga: Bardh Kodheli | Publikuar më: 31.05.2023, 09:52

Quincy Promes vijon të ketë probleme me ligjin, teksa këtë herë situata duket akoma më serioze. Më 14 dhjetor 2020, sulmuesi i kombëtares holandeze u arrestua për shkak të një sulmi me thikë ndaj kushëririt të tij, teksa në fund arriti të shpëtojë dhe të vijojë karrierën e tij.

Këtë herë 31-vjeçari akuzohet për trafik droge. Sulmuesi i Spartak Moskës akuzohet si porositësi i dy ngarkesave gjigante prej 650 dhe 713 kilogramësh kokainë, të cilat u zbuluan po në vitin 2020 në një kontejner në portin e Antuerpit në Belgjikë.

Sipas raportimeve të medieve holandeze, sasia e drogës kap vlerën e frikshme të 75 milionë eurove. Hetimet ndaj Promes kishin nisur prej kohësh për një përfshirje në rrjet droge dhe pjesëmarrje në një organizatë kriminale.

Ish-lojtari i Ajaxit dhe Sevillas do të dëshmojë para trupave gjykues të hënën e ardhshme, ku do të përpiqet të vërtetojë të kundërtën e pretendimeve të prokurorisë. 31-vjeçari ka shkëlqyer këtë sezon me Spartakun e Moskës në Rusi, duke regjistruar 20 gola dhe 7 asiste në 26 ndeshje.

Promes numëron plot 50 paraqitje me kombëtaren e Holandës, ku ka shënuar edhe 7 gola. Për sulmuesin e majtë janë harxhuar rreth 57 milionë euro në transferimet e tij në klube si Twente, Ajax, Sevilla apo Spartak Moskë.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit