Plakja e popullsisë/ Parashikimi i frikshëm i OKB-së, në fund të shekullit do të jemi gjyshërit e botës

Shkruar nga: Bardh Kodheli | Publikuar më: 31.05.2023, 09:23

Shqipëria sot është një nga popullsitë më të reja në Europë, me një mesatare prej 38.2 vitesh, por në fund të këtij shekulli ne do të jemi “gjyshërit” e botës. Ky është parashikimi që bën OKB, e cila ka studiuar të gjitha ndodhitë, që lidhen me këtë aspekt në vendin tonë.

Sipas parashikimeve, 49% e popullsisë së Shqipërisë do të jetë 65 vjeç e lart deri në vitin 2100, mosha më e lartë në botë dhe dyfishi i mesatares globale deri në atë vit. Grafiku i publikuar nga “Visual Capitalist” përdor të dhëna nga parashikimet e Popullsisë Globale nga Kombet e Bashkuara.

Në vitin 2022, sipas raportit, kishte 771 milionë njerëz të moshës mbi 65 vjeç në të gjithë botën, që përbënin pothuajse 10% të popullsisë botërore. Vendet me më pak pleqëri janë ata të Lindjes së Mesme dhe Afrikës. Vetëm 2% e popullsive të tyre përbëhen nga mosha mbi 65 vjeç.

Por me kalimin e kohës, pothuajse të gjitha vendet pritet të përjetojnë rritje në segmentet e popullsisë më të vjetër. Në vetëm tre dekada, vlerësohet se një në katër banorë europianë, amerikano-veriorë dhe aziatikë, do të jenë mbi 65 vjeç.

Deri në vitin 2100, një sërë vendesh pritet të kenë më shumë se një të tretën e popullsisë së tyre në moshën 65 vjeç ose më të vjetër, duke përfshirë Korenë e Jugut dhe Xhamajkën, me 44%. Por, nivelin më të lartë në botë pritet ta arrijë Shqipëria, që do të ketë 49% të popullsisë mbi 65 vjeç në vitin 2100. Sipas këtij grafiku, Shqipëria do të ketë plakjen më të shpejtë të popullsisë.

Aktualisht mosha mbi 65 vjeç përbën vetëm 16.7% të vendit. Arsyeja e këtij parashikimi të frikshëm është emigracioni dhe lindjet shumë të pakta. Vitin e kaluar në Shqipëri kishte më shumë vdekje sesa lindje, teksa mijëra të rinj kanë lënë vendin për të emigruar drejt vendeve më të zhvilluara.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit