Vuçiq: Kurti dëshiron ta çojë në gjakderdhje rajonin

Shkruar nga: B Hasi | Publikuar më: 29.05.2023, 20:59

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq ka akuzuar kryeministrin e Kososvës, Albin Kurti, se ka dëshirë të shkaktojë konflikt në Kosovë.

Ai, në një konferencë të jashtëzakonshme për media në Beograd, tha sot se “kemi muaj që themi se Kurti dëshiron ta çojë në gjakderdhje të gjithë rajonin”.

Vuçiq tha se KFOR-i i ka lënë “kryetarët e Kurtit të hyjnë në ndërtesat e Komunës dhe pastaj i ka mbrojtur nga serbët, në vend që të veprojnë anasjelltas”.

“Ky kryetar i rrejshëm është ende në Komunën e Leposaviqit”, tha Vuçiq.

Ai ka thënë se serbët e mbledhur në këto komuna, janë grumbulluar për t’i përdorur ndërtesat e tyre. Ka shtuar se ndërkombëtarët nuk i kanë mbrojtur serbët.

“Në mëngjes i kanë pritë KFOR-i dhe teli gjembor, është dashur t’u ndalohet hyrja kryetarëve të komunave që Kurti i ka zgjedhur në tualet, apo kabinet, ky kryetari i rremë i Leposaviqit është ende në ndërtesë”, ka theksuar Vuçiq.

Ai ka thënë se dy vetura të njësisë ROSU janë ngjyrosur, porse sipas tij, nuk janë sulmuar.

Vuçiqi ka deklaruar se zyrtarët serbë kanë biseduar me zyrtarët e KFOR-it.

“Serbët kanë kërkuar tërheqjen e Policisë dhe kryetarëve të rremë. KFOR-i ka kërkuar që të kalojnë veturat e ROSU-s. Nuk kanë lejuar dhe kështu ka nisur aksioni i KFOR-it kundër serbëve. Ata kanë nisur t’i godasin”, ka thënë ai, derisa ka shtuar se KFOR-i ka nisur sulmin dhe jo protestuesit.

Ka shtuar se pjesëtarët e njësisë ROSU kanë gjuajtur me armë në drejtim të serbëve, dhe një prej tyre është qëlluar me dy plumba. Ai ka thënë se 52 serbë janë lënduar dhe tre prej tyre janë në gjendje të rëndë.

Sipas mediave serbe, Vuçiq do niset drejt kufirit me Kosovën, pasi ta përfundojë fjalimin e tij.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit