Çarshia e Vjetër e Shkupit, nismë për tërheqjen e turistëve

Shkruar nga: B Hasi | Publikuar më: 28.05.2023, 18:49

Dekorim të shtyllave me gjelbërim artificial, vendosje e të ashtuquajturave “dallëndyshe” për hije gjatë ditës, drita zig-zag për ndriçim gjatë natës, mbjellje e pemëve si dhe vendosje të ulëseve e shportave….

Këto janë vetëm disa nga projektet që i paralajmëron Esnafi i Çarshisë, që kanë për qëllim krijimin e ambientit të mirë për punëtorët e Çarshisë dhe tërheqjen e numrit sa më të madh të turistëve në këtë pjesë të Shkupit.

“Së parë të ndërrojmë ambientin për punë, për vetë punonjësit që janë Brenda, e dyta paralelisht se do të përshtatemi me syrin e vizitorëve, ku dekorimin e të gjitha shtyllave, që gjenden në Çarshinë e Shkupit, do t’i dekorojmë me dekorim artificial nga plastika, por i japin një pamje të mirë, e dyta do të jetë ndriçimi zigzag E treta është vazhdimi I mbulimit me dallëndyshe, të gjitha rrugët kryesore të gjata… Mandej do të jetë me disa ulëse që do të jenë të improvizuara me nga një zhardonjerë, ku do të jetë e mbjellë një pemë që do të jep një frymë gjallërie, gjithashtu me shportat… poashtu do të kemi edhe disa bredha që do të vendosen mes dy dyqaneve, që do të vendosen në shenjë pastërtie…”, deklaroi Bujar Dullovi, Esnaf i Çarshisë.

Përveç dekorimit të Çarshisë, Dullovi paralajmëron edhe aktivitete kulturore.

“Organizime për piktorët, që do të pikturojnë disa ditë, një panair të librit shqiptar që dëshirojmë ta fusim në programin tonë…Planifikojmë që të kapim edhe aspektin kulturor, të kënaqen edhe turistët, të kënaqemi edhe ne vendasit këtu”, u shpreh Bujar Dullovi, Esnaf i Çarshisë.

Në anketën e realizuar ditë më parë, turistët për Alsat thanë se ushqimi, kultura dhe mikpritja janë vetëm disa nga faktorët që i tërheqin ata për ta vizituar Çarshinë e Vjetër të Shkupit. Nga Agjencia e Promovimit dhe Mbështetjes së Turizmit thanë se vetëm në tremujorin e parë të këtij viti, Shkupin e kanë vizituar 58 mijë e 342 turistë, po aq i lartë është edhe numri i bujtjeve.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit