Cassano “i bie” Rrahmanit: Ishte faji i tij te goli i Giroud, Napoli të kërkojë për një mbrojtës tjetër

Shkruar nga: Bardh Kodheli | Publikuar më: 19.04.2023, 12:40

Napoli nuk ia doli as në përballjen e dytë ndaj Milanit, ku u ndal në vetëm një barazim 1-1 në çerekfinalen e dytë të Champions League, duke u eliminuar me rezultat të përgjithshëm 2-1 pas dy betejave. Goli i parë i ndeshjes u shënua nga Giroud në minutën e 43-të.

Ky gol ka krijuar mjaft polemika në Itali dhe në qendër të kritikave është kapiteni i Kosovës, Amir Rrahmani. Leao nisi aksionin dhe e mori “zvarrë” Rrahmanin deri në momentin që portugezi asistoi për Giroud, i cili tundi rrjetën. Shumë tifozë dhe jo vetëm mendojnë se Rrahmani duhet të kishte shkaktuar faull ndaj Leaos që në nisje.

Ylli i Napolit ka marrë kritika edhe nga Antonio Casaano, që ka këshilluar napolitanët për të gjetur një tjetër mbrojtës. Ish-sulmuesi, i cili edhe vetë nuk është se ka ndritur ndonjë gjë të madhe në karrierën e tij, është vazhdimisht thumbues në deklaratat në rrjetet sociale.

“Milani bëri një lojë si një skuadër e vërtetë. Por goli erdhi sepse Rrahmani nuk shkaktoi faull. Në momentin që Leao mori topin, ai nuk duhet ta linte që të ikte. Leao la pas katër lojtarë dhe bëri një paraqitje fantastike në të dyja pjesët.

Milani ishte një ekip që ja vlente ta shikoje. Napoli krijoi shumë pak, sidomos në pjesën e parë. Gjithsesi urime Napolit për progresin e bërë deri më tani, por për të bërë një hap të fundit, duhet të marrin një qendërmbrojtës të një niveli më të lartë", tha ndër të tjera Cassano.

Përveç Cassanos, edhe portieri i Napolit, Alex Meret për "Mediaset" ka thënë se në momentin e golit të Milanit duhet të shkaktohej faull. "Sot patëm një lojë të shkëlqyer në përgjithësi. E dinim që ata do të mbroheshin dhe se do të ishin të rrezikshëm në kundërsulm.

Është për të ardhur keq që nuk bëmë faull në kundërsulm, por krijuam lojën, krijuam raste dhe dhamë gjithçka deri në fund. Nëse do ta kishim gjetur golin më parë, mund të ishte ndryshe. Por ne dhamë gjithçka dhe ka pak për t’u ankuar", tha Meret.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit