Evis “qethësi” i fali 11 MLN €/ Ku po i çojnë lekët e shqiptarëve hajdutët e Jugut Milo e Lenc Gjikuria?!

Shkruar nga: V Gashi | Publikuar më: 28.03.2023, 14:24

Të gjithë e mbajmë mend tenderin e famshëm për rekonstruksionin e rrugës Maliq-Lozhan i Ri-Strelcë, për të cilin Autoriteti Rrugor Shqiptar me urdhër të Ervis Berberit i qethi 11 milionë euro fond. Përveç kësaj kostoje të lartë, ky tender u bë pjesë e skandaleve për shkak se Berberi ia bëri dhuratë, pa garë fare, biznesmenëve Florenc dhe Milo Gjikuria. Në garë ishin edhe 6 firma të tjera, ku, oferta më e ulët ka qenë e firmës “ARIFAJ” SHPK & EUROKOS HOLDING me vlerë 1.055.530.088 lekë pa TVSH.

Oferta e dytë më e ulët ka qenë e “SIRETA 2 F” & “KUPA” & “KLAJGER KONSTRUKSION” me vlerë 1.111.111.111 lekë pa TVSH.

Oferta e tretë ka qenë “PE – VLA – KU” me 1.123.818.390 lekë.

Ndërsa e katërta BOE “BE – IS” SHPK & “ERGI” SHPK & “VELLEZERIT HYSA” me ofertë 1.137.311.585.

Por, duke i përjashtuar këto firma që në fazën e parë. Berberi firmosi kontratën në shkelje të ligjit me firmën “Gjikuria” e cila ofroi 1.164.381.419 lekë pa TVSH, ose me TVSH rreth 11 milionë euro. Pra, 160 milionë lekë më shumë se ofertat e tjera.

Pavarësisht se ky tender shkelte dy rregullat kryesore, pas datës 5 korrik, kur i lidh kontrata filluan punimet. Sipas dokumentit punimet në këtë aks do të zgjasin 2 vjet. Rruga Mali-Llozan pritej të përfundonte e para brenda vitit 2022 dhe më pas të vazhdohej me pjesën tjetër.

Por, realiteti është krejt ndryshe. Sepse Gjikuria, si firmë zbatuese nuk po i përmbahet kontratës. Në një pikë të tenderit thuhet se kompania duhet të posedojë mbi 10 kamion, 6 ekskavatorë, 2 fadroma, 4 kamionçina, 8 autobetoniere dhe të tjera. Në fakt firma në fjalë nuk ka vënë në punë as gjysmën e këtyre mjeteve.

Dhe për këtë fakt në redaksinë e JOQ Albania ka mbërritur një denoncim. Një qytetarë i kësaj zone thotë se që prej 10 muajsh që kanë nisur punimet, ecuria e tyre është shumë e avashtë. Kjo për shkak se janë në dispozicion vetëm 10 punonjës, 1 ekskavator dhe 1 fadromë.

“Përshëndetje JOQ po iu shkruaj për rrugën Maliq-Llozhan. Punimet për këtë rrugën kanë filluar para 10 muajsh. Por firma zbatuese e projektit, firma e famshme “Gjikuria” ecën me ritme shumë të ngadalta pune. Pasi ka futur vetëm 10 punëtorë, 1 ekskavator dhe 1 fadromë për të përfunduar 17 km rrugë, fondi total i së cilës shkon 15 milionë euro”, shprehet denoncuesi.

Dhe gjendja reale e punimeve në këtë rrugë duket edhe tek video më poshtë.

Ndërsa vlen të theksojmë se, sipas denoncuesit, firma Gjikuria edhe pse është zbatuese e tenderit nuk po punon këtu sepse ka marrë statusin “investitor strategjik” dhe i ka marrë të gjitha makinerinë në Jug. Pra Gjikuria i ka deklaruar se i ka këto mjete sa për të fituar tenderin, por i përdor ato për punë të tjera, që gjithashtu i ka përfituar në shkelje të ligjit.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit