Ndonëse Sadri Abazi është ish-deputet i të majtëve, për zgjedhjet e ardhshme do të jetë sponsori kryesor i fushatës elektorale të demokratit Bardh Spahia në Shkodër. Ky i fundit ka zhvilluar shumë projekte me Abazin, edhe pse Sali Berisha e demokratë të tjerë e kanë denoncuar socialistin për pastrim parash dhe e quajnë si "oligarkun kryesor të Ramës".
Tani që zgjedhjet po afrojnë, Spahia po luan çdo gurë vetëm e vetëm që të ketë karrigen e sigurt dhe përmes Abazit të sigurojë votat e nevojshme.
Për këtë ai i ka bërë dhuratën e radhës Abazit. Me datë 13 mars Bashkia Shkodër ka mbyllur tenderin me objekt “Shërbimi i Pastrimit për Bashkinë Shkoder Zona Qendrore”, përmes të cilit Abazi ka furu në xhep 427 milionë lekë pa tvsh.
Ky i fundit ka marrë pjesë me firmën “ALKO IMPEX CONSTRUCTION”sh.p.k, e regjistruar në emër të nipit të tij Arbër Abazi, por themeluesi dhe pronari i vërtetë është Sadri Abazi.
Për këtë projekt kanë marrë pjesë edhe 2 firma të tjera, konkretisht Ante-Group” sh.p.k, “REJ” sh.p.k. Por, ofertat e tyre nuk janë marrë parasysh fare, pasi Spahia e kishte paracaktuar si fituese firmën “ALKO IMPEX CONSTRUCTION”sh.p.k”, për këtë Open Data i ka vendosur flamurin e kuq dhe ngre alarmin për abuzimet me këtë kontratë.
Praktikisht Spahia i ka zgjatur kontratën Abazit, sepse edhe më parë firma “ALKO IMPEX CONSTRUCTION” ishte përpjese për pastrimin në Shkodër. Në muajin qershor 2022, përfundoi kontrata e pastrimit dhe duhej t’i nënshtrohej tenderit më garë të hapur qysh në muajin prill, por kryebashkiaku Bardh Spahia e shtyu tenderin qëllimisht 3 herë dhe pastaj pa garë, ia zgjati kontratën Sadri Abazit.
Në fillim të janarit të këtij viti u bë një kontratë provizore ku Abazi fitoi me dy firmat e tij “ALKO IMPEX CONSTRUCTION” dhe “ALKO IMPEX General CONSTRUCTION” shtyrjen e afatit të projektit . Ndërsa tani 2 muaj më pas, sërish në shkelje të ligjit, Spahia i ka firmosur kontratën për 6 muaj të tjerë. Duke i shtuar edhe 427 milionë lekë të tjera kontratës, me tenderin me negocim të nënshkruar me 13 mars.
Në fakt vetë kryeministri Edi Rama ka kërkuar në korrik të 2021 bashkitë të mos japin më tenderë me negocim, ndryshe do të denoncohen në SPAK. “Asnjë bashki të mos japë tenderë me procedurë me negocim, do t’ju denoncojmë në SPAK”, u shpreh Rama në 7 korrik 2021.
Por, me sa duket ky urdhër nuk vlen për disa bashki. Pasi Bashkia e Shkodrës, edhe pse e udhëhequr nga demokratët, prej 12 vitesh ia vulos Sadi Abazit tenderin e pastrimit të qytetit. Deri më sot, përveç mediave, asnjë denoncim nuk është bërë për këto tenderë.