Nuk kanë të ndalur “bëmat” e kryetares së Bashkisë Durrës, Emiriana Sako. Nuk e kemi fjalën për “bëmat” në dobi të komunitetit, por përkundrazi. Për “bëmat” e saj në dëm të parave të taksapaguesëve të Durrësit.
Themi kështu pasi zonja në fjalë ka organizuar një tjetër tender të dyshimtë. Kësaj rradhe përfituese është familja Dulaku nëpërmjet kompanisë së saj ALBANIA MOTOR COMPANY. Rezulton se kjo kompani është shpallur fituese e një tenderi pa garë ku ka garuar vetëm ajo “me veten e saj”. Por për çfarë bëhet fjalë?
Po flasim për tenderin me numër reference REF-36947-07-22-2022 dhe me objekt “Blerje automjete për Policinë Bashkiake”. Kjo procedurë ka si fond limit shifrën prej 11,300,000 lekë të reja pa TVSH ose rreth 135 milionë lekë të vjetra me TVSH.
Nga studimi i dokumentacionit të tenderit vihet re se ka marrë pjesë vetëm një kompani, pikërisht ALBANIA MOTOR COMPANY në pronësi të familjes Dulaku, për vlerën e ofruar 10,580,000 lekë të reja pa TVSH ose rreth 126 milionë lekë të vjetra me TVSH. Duke qenë e vetmja garuese natyrisht e ka patur “tepër të lehtë” të shpallet fituese.
Ndërkaq përveç mungesës së konkurrencës, është edhe afërsia e vlerës fituese me fondin limit të tenderit, e cila ngre dyshime se kemi të bëjmë me një fitues të paracaktuar. Themi kështu pasi vlera e ofruar nga ALBANIA MOTOR COMPANY është sa 93.62% e fondit limit.