“Unë të votova ty, ti votoje trustin”, protestohet pro tërheqjes së Trustit

Shkruar nga: B Hasi | Publikuar më: 26.05.2022, 14:03

Me kërkesën që të lejohet tërheqja e mjeteve deri në 30 për qind nga Fondi Pensional, qytetarë e deputetë të vendit kanë protestuar para objektit të Qeverisë të enjten. Ata kanë kërkuar nga Qeveria dhe pushteti që të lejojnë një gjë të tillë, duke thënë se janë mjetet e tyre dhe jo të Qeverisë.

Me pankarta në duar, protestuesit kanë kërkuar nga deputetët që në seancën kur do të vijë për votim ky Projektligj, ta votojnë “siç i votuan ata për deputetë”.

“Unë të votova ty, ti votoje trustin”, “Djersa është e jona, lejoni kursimet tona”, “Trusti është i joni jo i Qeverisë”, ishin disa nga thirrjet e qytetarëve në këtë protestë.Për tërheqjen e mjeteve nga Trusti janë shprehur edhe punëtorë e Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK). Kjo sipas kryetarit të Sindikatës së Re të KEK-ut, Nexhat Llumica, mbi 90 për qind e tyre janë shprehur pro kësaj tërheqjeje.“Ne si Sindikatë e Re e KEK-ut kemi bërë disa sondazhe me punëtorë, ku mbi 90 për qind e tyre kanë shprehur vullnetin për tërheqjen e mjeteve sepse dihet gjendja e tyre. Kjo gjendje socio ekonomike pas pandemisë me të vërtetë punëtorët kanë nevojë. Por kjo nuk do t’ju ndihmoj vetëm punëtorëve por mbarë qytetarëve të Kosovës. Ato janë kursimet tona, ato nuk janë kursimet e qeverisë. Ata që nuk kanë dëshirë t’i tërheqin ato mjete le ti lënë aty”, tha ai.

“Vullneti i të gjithëve është për t’i tërhequr ato mjete. Ne nuk shohim investim në vendin tonë edhe për kundër papunësisë e ikjes së qytetarëve. Lus Qeverinë, Parlamentin e partitë politike që të votojnë pro kësaj tërheqje sepse sot o kurrë kemi nevojë”, tha ai.

E organizatori i kësaj proteste, Adnan Jashari, ka thënë se protesta do të përsëritet nëse nuk votohet pro tërheqjes së Trustit.

“Do të presim që në javën e ardhshme Kuvendi i Kosovës ta vendos në rënd të ditës tërheqjen e mjeteve nga Trusti. Nëse nuk ndodh, do të dalim sërish në protestë. Nuk i duam paratë për qejfe por sepse jemi në gjendje të vështirë. Çmimet janë rritur pagat kanë mbetur të njëjta. Prandaj duam kursimet tona”, tha Jashari.

Pjesë në këtë protestë janë edhe disa deputetë të PDK-së dhe AAK-së.

Opozita është pro lejimit të një tërheqje të re nga Trusti, por pushteti këmbëngul se një gjë e tillë do ta dëmtonte ekonominë e vendit.

Ndryshimi ligjor që mundëson tërheqjen ka shkuar në Kuvend pa aprovimin e Qeverisë dhe të Komisionit të Buxhetit.

Protestuesit kanë paralajmëruar protesta tjera nëse nuk lejohet tërheqja. ""

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit